Trajneri i Arsenalit jep sinjale përpara afatit kalimtar të dimrit

Mikel Arteta ka konfirmuar se Arsenali do të jetë aktiv gjatë afatit kalimtar të janarit, me synimin për të forcuar skuadrën në një moment vendimtar të sezonit.
Trajneri i “Topçinjve” theksoi se klubi duhet të jetë i gatshëm për të vepruar, duke pasur parasysh problemet në rritje me dëmtimet dhe presionin e garës për titull.
“Në varësi të disponueshmërisë së disa lojtarëve, afati kalimtar është aty. Ne jemi Arsenali dhe duhet ta kemi gjithmonë nën vëzhgim”, ka thënë Arteta.

Me disa futbollistë kyç jashtë fushës, trajneri spanjoll nënvizoi se klubi nuk mund të përballojë surpriza të pakëndshme.
“Detyra jonë është të jemi shumë të përgatitur, sepse gjithmonë mund të ndodhë diçka”, shtoi ai, duke lënë të kuptohet se Arsenali do të reagojë menjëherë nëse shfaqet mundësia e duhur në treg.

Këto deklarata konfirmojnë qartë ambicien e klubit londinez për të ruajtur konkurrencën dhe për të përforcuar objektivat në pjesën e dytë të sezonit.
‘Topçinjtë’ renditen në krye të tabelës dhe me statistikë të fortë deri më tani, ku kanë shënuar 33 gola dhe kanë pësuar 11. /Telegrafi/







































