Trajneri i fitnesit, Arbër Peci: Mos harro ujin, është stërvitja më e thjeshtë që nuk e bëjmë

Nëse dikush më pyet cili është veprimi më i rëndësishëm gjatë ushtrimeve, përgjigjja ime do të ishte: pirja e ujit.
Në botën e fitnesit flasim shumë për teknika, për peshën që ngremë apo për ushtrimet më efikase. Por shpesh harrojmë një element bazë pa të cilin asgjë nga këto nuk funksionon: hidrimin. Pa ujë të mjaftueshëm, nuk ka pompim muskulor dhe pa pompim, një nga qëllimet kryesore të stërvitjes bie poshtë.
Çfarë është pompimi? Është procesi kur gjaku qarkullon me intensitet në muskujt që punojnë, duke i bërë ata të duken më të plotë dhe më të fortë. Është shenjë që muskujt po marrin gjak, oksigjen dhe lëndë ushqyese për t’u zhvilluar. Por nëse jemi të dehidratuar, ky efekt zhduket. Vëllimi i gjakut bie. Qarkullimi ngadalësohet. Muskujt nuk marrin atë që u nevojitet.
Pirja e ujit para, gjatë dhe pas stërvitjes nuk është luks është domosdoshmëri. Përveçse ndihmon pompimin, parandalon ngërçet, rrit përqendrimin, ndihmon rigjenerimin dhe mban performancën në nivel të lartë.
Shumë sportistë pyesin: “Çka me pi për të pasur pompim?”
Filloni me gjënë më të thjeshtë: ujin.
Sepse edhe suplementi më i shtrenjtë, në një trup të dehidratuar, është si fara në tokë të thatë. /Telegrafi/

















































