Tragjedia në Prizren, nga QKUK japin detaje për vajzën e cila u ther me thikë nga babai i saj
Qyteti i Prizrenit është tronditur sot nga një ngjarje tragjike, ku një burrë ka therur me thikë gruan dhe dy vajzat e tij të mitura, ku për pasojë njëra nga vajzat 15 vjeçare ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Ndërsa, vajza tjetër 10 vjeçare është dërguar për tretman mjekësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Naser Syla, shef i Emergjencës në QKUK tha për Telegrafin, se gjendja e vajzës për momentin është stabile.
"Gjendja e saj është stabile, janë kryer të gjitha ekzaminimet. Tashmë janë duke e dërguar në klinikën e ORL-së", tha Syla.
Ndryshe, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyçi më herët ka konfirmuar se rasti ka ndodhur rreth orës 05:00.
“Sot më datë 06.05.25 rreth orës 05:57 policia përmes telefonit ka marrë informatën se në rrugën “Shote Galica ” në Prizren ndodhet një person i lënduar dhe se emergjenca mjekësore nuk po mund t’i jep ndihmë ngase një i dyshuar ndodhet me thikë ne dorë. Në atë drejtim janë nisur katër patrulla policore. Në vend ngjarje është kuptuar se një i dyshuar M.G. viti i lindjes 1981, mashkull ka therur me thikë dy vajzat e tij, njëra 15 vjeçare e cila ka mbetur e vdekur në vend të ngjarjes dhe tjetra e lënduar rëndë, e cila për momentin në gjendje të rëndë ndodhet në QKUK në Prishtinë”, theksoi ai.
Zëdhënësi pohoi se lëndime ka pësuar edhe bashkëshortja e tij, 35 vjeçare.
“Të gjithë këta janë familjar mes vete dhe janë shtetas të Turqisë me banim të përkohshëm në Prizren”, nënvizoi ai.
Policia është duke u marr me rastin. /Telegrafi/






























