LAJMI I FUNDIT:

Tragjedi në liqenin e Banjës në Gramsh, humb jetën babai me dy djemtë dhe kushëriri i tyre

Tragjedi në liqenin e Banjës në Gramsh, humb jetën babai me dy djemtë dhe kushëriri i tyre

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në liqenin e Banjës në Gramsh, ku për pasojë dyshohet se kanë humbur jetën katër persona.

Policia e Gramshit ka njoftuar se ka marrë një telefonatë rreth orës 19:00 se katër persona dyshohet se janë mbytur në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës, në fshatin Drizë të Gramshit.


Shërbimet e policisë, grupi hetimor dhe zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje, ku rezulton se kanë humbur jetën babai me dy djemtë e tij dhe kushëriri i tyre.

Babai, 46-vjeçari A. Z., dy fëmijët e tij 19-vjeçari R. Z., dhe 14-vjeçari E. Z., së bashku me kushëririn e tyre 20-vjeçarin M. Z., sipas deklarimeve të familjarëve janë futur në liqen për t’u larë dhe nuk kanë dalë më.

Grupi hetimor ka gjetur në buzë të liqenit dy motoçikleta, tre celularë dhe teshat e trupit, raporton TCH.

Sipas policisë, në drejtim të liqenit janë nisur palombarët e Reneas për të bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e katër shtetasve nga liqeni. Në drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Po ashtu, dy persona kanë humbur jetën ditën e sotme pas kontaktit me ujin.

Një ngjarje ndodhi në plazhin e Durrësit ku një 68-vjeçar në Porto Romano rreth orës 19:20, sapo ka rënë në kontakt me ujin ka shfaqur probleme shëndetësore dhe ka humbur jetën.

Ngjarja tjetër ndodhi në plazhin e Tales, ku humbi jetën një 52-vjeçar. Po ashtu, dyshohet se pushuesi humbi jetën nga i njëjti shkak.