Pas viteve të tërë spekulimesh dhe informacionesh jozyrtare, Toyota zyrtarisht ka konfirmuar se po punon për një model të ri sportiv me motor të vendosur në mes, një projekt që janë duke e udhëhequr nga divizioni sportiv Gazoo Racing.

Presidenti i Gazoo Racing, Tomoya Takahashi, ka deklaruar se modeli me motor të pozicionuar mes dy akseve është tashmë në zhvillim, por se do të kalojë ende shumë kohë para se të dalë në prodhim.


Sipas Takahashit, veturat prototip tashmë po testohen, por projekti është vetëm në fazën e parë nga katër faza zhvillimi.

Ai shpjegon se do të duhen rreth 4–5 vjet para se modeli të hyjë në prodhim serik, që do të thotë se mund të shfaqet për konsumatorë rreth vitit 2030.

Nuk është konfirmuar ende emri i modelit, por pritet të jetë një “pasardhës shpirtëror i MR2”, veturës legjendare sportiv që prodhohej deri në vitin 2007.

Toyota do të përdorë një motor të ri benzine turbo 2.0 litër me katër cilindra (G20E), i cili u testua fillimisht në konceptin GR Yaris M. Synohet që ky motor të zhvillojë më shumë se 400 kuaj fuqi, ndërsa në versionet e garave mund të arrijë edhe mbi 600 kuaj/fuqi.

Toyota thotë se motori do të jetë më kompakt dhe me rreth 10 për qind më i ulët se motorët e mëparshëm, me efikasitet deri në 30 për qind më të mirë, dhe do të jetë i përgatitur për variante elektrike dhe versionet me të gjitha rrotat në lëvizje.

Sipas Toyota-s, para se të vijë ky model sportiv mid‑engine, kompania mund të prezantojë një version të ri të Celica-s, i cili është gjithashtu në fazë të zhvillimit. Premiera e parë e Celica-s mund të ndodhë para vitit 2028. /Telegrafi/