Tri skuadra të Ligës Premier si Aston Villa, Chelsea dhe Tottenham Hotspur – i janë bashkuar garës për nënshkrimin e yllit të Hoffenheimit Fisnik Asllanit.

Megjithatë, ata do të përballen me konkurrencë të fortë nga Barcelona, që po kërkon zëvendësuesin afatgjatë të Robert Lewandowskit.


“TBR Sports” raporton se të tre klubet angleze po e pëlqejnë qendërsulmuesin dhe besojnë se mund të përshtatet më së shumti në kampionatin anglez.

Performanca e tij mbresëlënëse ka bërë që skautët dhe analistët të jenë “të mahnitur”. Sipas gazetarit Graeme Bailey, Asllani ka dalë në pah në raportet e të dhënave analitike dhe pastaj i ka konfirmuar cilësitë e tij në terren.

“Barcelona është jashtëzakonisht e impresionuar, por nuk është e vetme. Klubet angleze dhe të tjera tashmë po e ndjekin nga afër. Asllani është një emër që do ta dëgjojmë shumë më shpesh”, – tha Bailey për TBR Football.

Asllani, 23 vjeç, është në një formë të shkëlqyer këtë sezon, me katër gola në shtatë ndeshje të Bundesligës, si dhe dy gola me Kosovën në pesë paraqitje.

Sezoni i kaluar në huazim te SV Elversberg rezultoi vendimtar për të: ai shënoi 18 gola në 33 ndeshje, ndihmoi ekipin të luftonte për ngjitjen në Bundesliga dhe tërhoqi vëmendjen e shumë klubeve të mëdha.

Nëse Asllani e vazhdon këtë formë, një transferim te ndonjë gjigant evropian që luan në Evropë mund të bëhet realitet shumë më shpejt nga sa pritet./Telegrafi/

telegrafi sport app