Tollovi në rrugët B dhe C në Prishtinë, Havolli: Kanalizimi është rregulluar, po punohet në një segment tjetër

Tollovi e madhe po vazhdon të shkaktohet në rrugët B dhe C në Prishtinë, si pasojë e punimeve që janë bërë për hapjen e kanalizimit të ri.
Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, kishte njoftuar më herët se ishte zgjidhur një nga problemet më të mëdha në rrugën B. Megjithatë, kishte mbetur e paqartë se pse vazhdon të ketë bllokime në komunikacion, ndërkohë që mjetet e punës janë ende të pranishme në vendin e ngjarjes.
Për Telegrafin, Havolli ka bërë të ditur se kanalizimi është tashmë i rregulluar, por ndërhyrjet aktuale po bëhen për një projekt tjetër.
"Sikurse edhe kemi dhënë njoftimet publike, ndërhyrja emergjente për eliminimin e problemit të kanalizimit është përfunduar. Këto ujëra të zeza kanë prekur të gjithë sipërfaqen në Rrugën B si dhe ndërtesat e afërta. Pra, rrjeti tashmë është 100% funksional. Punimet që aktualisht janë duke u realizuar janë punime plotësuese dhe nuk lidhen me ndërhyrjen e mëhershme, por është ndërhyrje e cila, për një pjesë tjetër të rrjetit të kanalizimit — pra, segment tjetër i punës — eliminon çdo mundësi të problemeve në të ardhmen", ka pohuar Havolli.
Ndryshe, qytetarët po ankohen në vazhdimësi se po përballen me kolona të gjata në këtë zonë, kryesisht në orët e pasdites./Telegrafi/














































