Toleranca si Virtyt

Dialogu, dashuria dhe toleranca janë themele të patjetërsueshme për çdo shoqëri që synon paqen dhe zhvillimin. Këto vlera universale duhet të përqafohen nga të gjithë, veçanërisht nga ata që mbajnë përgjegjësi publike Abdirahim IdriziPoliklinika “Galaxy”abdirahimidrizi@gmail.com
Sot, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për ndërgjegjësim të thellë njerëzor, dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes bashkëjetesës, mirëkuptimit dhe ndërtimit të urave mes njerëzve.
Prej dekadash jemi dëshmitarë të paragjykimeve dhe keqpërdorimeve - shpesh në emër të fesë ose të shkencës. Por ne besojmë se feja dhe shkenca nuk janë në konflikt; përkundrazi, kur ecin krah për krah, krijojnë një botë më të drejtë dhe më të ndriçuar.
Kur’ani famëlartë e urdhëron kërkimin e dijes, ndërsa shkenca synon përparimin e njerëzimit. Rreziku nuk qëndron në to, por në injorancën dhe fanatizmin që i keqpërdor ato.
Tolerancah në fetë monoteiste
Toleranca është një virtyt i përbashkët i feve abrahamike: Islamit, Krishterimit dhe Judaizmit. Të tria këto fe bazohen në besimin në një Zot të vetëm dhe predikojnë dashurinë, drejtësinë dhe paqen ndërnjerëzore.
Në Krishterim, Jezusi mëson: “Duaje të afërmin tënd si veten tënde” (Mateu 22:39). Dashuria për të tjerët dhe falja janë thelbi i ungjillit të tij.
Në Judaizëm, Tora thekson: “Mos e shtypni të huajin; sepse edhe ju ishit të huaj në tokën e Egjiptit” (Eksodi 22:21). Judaizmi i jep rëndësi të madhe bujarisë dhe drejtësisë sociale.
Në Islam, Kur’ani thekson: “Nuk ka detyrim në fe” (El-Bekare: 256), duke promovuar lirinë dhe bashkëjetesën. Profeti Muhamed (a.s.) garantoi siguri dhe respekt për komunitetet e tjera fetare në Medinë.
Këto tri besime ndajnë një rrënjë të përbashkët të vlerave morale dhe na mësojnë se respektimi i tjetrit është forcë shpirtërore, jo dobësi. Toleranca ndërfetare është themel për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të qëndrueshme.
Toleranca nuk është vetëm qëndrim, por veprim i vetëdijshëm dhe i nevojshëm në çdo aspekt të jetës – në familje, arsim, shoqëri civile, dhe sidomos në politikë.
Në një kohë kur shumë vende përballen me ndarje të thella, edhe Kosova është në një ngërç të zgjatur politik, ku mungesa e tolerancës mes partive politike po zbeh shpresën për bashkëpunim dhe progres afatgjatë.
Është koha që liderët dhe përfaqësuesit politikë të kuptojnë se toleranca politike nuk është dobësi, por mënyra më fisnike për të mbrojtur interesin publik dhe për të ndërtuar ura mes vizioneve të ndryshme.
Nuk mund të ketë zhvillim demokratik pa kulturë të dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
Modelet e vërteta politike nuk janë ata që sundojnë me arrogancë, por ata që bashkëpunojnë përtej dallimeve, që dëgjojnë dhe respektojnë zërat ndryshe, dhe që e vendosin interesin kombëtar mbi atë partiak.
Të kemi konsensus për çështjet madhore, të respektojmë pluralizmin politik, dhe të forcojmë institucionet përmes bashkëpunimit, është rruga e vetme për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme dhe më dinjitoze për Kosovën dhe rajonin.
Toleranca dhe tragjedia njerëzore
Në botën e sotme, mungesa e tolerancës shpesh shndërrohet në tragjedi të papërshkrueshme.
Vrasjet e pafajshme të fëmijëve në Gaza dhe në vende të tjera të konfliktit janë thirrje për ndalim të dhunës dhe reflektim të thellë mbi vlerën e jetës njerëzore.
Këto ngjarje të dhimbshme na kujtojnë se mungesa e mirëkuptimit dhe respektit për jetën tjetër vetëm sa e thellon urrejtjen dhe konfliktet.
Vetëm përmes tolerancës së sinqertë, dialogut dhe bashkëjetesës paqësore mund të ndërtojmë një botë ku fëmijët të rriten në siguri, pa frikë dhe me shpresë për një të ardhme më të mirë.
Toleranca është urtësi. Urtësia është dashuri. Dashuria është paqe. Paqja është shpëtim.
Të pranojmë tjetrin ashtu siç është, të falim çfarë është e falshme dhe të duam më shumë sesa të gjykojmë - kjo është rruga e njeriut që synon të bëhet më i mirë, për vete dhe për botën.
Fjala e autorit
Ky reflektim mbi tolerancën si virtyt është rezultat i përvojës, bindjeve dhe dashurisë sime për një botë më të drejtë.
Uroj që ky kapitull të prekë ndërgjegjen e kujtdo që e lexon dhe ta nxisë të përhapë dritën e tolerancës në fjalë, në vepra dhe në vendimmarrje - edhe politike. /Telegrafi/




















































