Të shtunën, më 12 korrik, në ora 11:00, para stacionit policor në Lipjan do të mbahet një protestë paqësore me moton “Drejtësi për Agonin”.

Kjo protestë organizohet nga familjarët dhe miqtë e Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit i cili humbi jetën në rrethana ende të paqarta gjatë orëve të para të 7 korrikut, gjatë një intervenimi të policisë për arrestimin e tij.


Albani, vëllai i të ndjerit, ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje në këtë protestë, duke theksuar se qëllimi është kërkesa qytetare për drejtësi dhe transparencë.

Sipas tij, institucionet kanë dështuar në detyrën më themelore – mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Le të jetë kjo hera e fundit që një qytetar humb jetën nga dështimi i atyre që duhet ta mbrojnë,” thuhet në njoftimin e familjes Zejnullahu.

Protesta është paralajmëruar të jetë paqësore dhe jopolitike, me kërkesën kryesore: zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve.

Lidhur me këtë rast, pesë zyrtarë policorë tashmë janë paraqitur para gjykatës dhe janë dërguar në paraburgim për një afat prej një muaji.