Thonjtë në nuancën e qumështit të kokosit: Manikyri elegant që thekson tenin e nxirë


Ngjyra e butë, e ftohtë dhe qumështore është zgjedhja ideale për ditët e nxehta, sepse i bën thonjtë të duken më të pastër dhe lëkurën më të errët
Sezonet e fundit kanë dominuar manikyrët neutralë, të cilët në radhë të parë theksojnë formën e bukur të thoit dhe pamjen e tij të shëndetshme. Pas shumë varianteve të ngjashme, këtë verë në fokus vjen një nuancë e butë, e frymëzuar nga kokosi.
Ky lloj manikyri u bë veçanërisht i popullarizuar me ardhjen e estetikës “old money”, e cila mbështetet te pamja e rregullt, natyrale dhe elegante. Gjatësia e njëtrajtshme e thonjve, forma e bukur dhe kutikulat e kuruara janë tiparet kryesore të këtij stili.
Ngjyra e llakut nuk e mbulon domosdoshmërisht plotësisht sipërfaqen e thoit, por lejon që të shihet edhe gjendja natyrale e tij, duke e vënë theksin te kujdesi, shëndeti dhe pamja sa më natyrale.
Pas manikyrit “cloud”, nuancave “blueberry milk” dhe “lavender milk”, këtë verë në qendër të vëmendjes do të jetë një tjetër version i ngjyrës qumështore: ai i frymëzuar nga qumështi i kokosit, transmeton Telegrafi.

Ky frut ekzotik për shumë njerëz është një nga asociacionet kryesore të ditëve të verës, sidomos kur merren parasysh losionet dhe kremrat e shumtë për kujdesin e lëkurës, të pasuruar me aromën e tij të ëmbël. Por këtë verë, kokosin nuk do ta mbajmë vetëm si aromë, por edhe në thonj.
Bëhet fjalë për një nuancë të butë qumështore, e cila qëndron diku në mes të së bardhës klasike, që zakonisht e duam gjatë verës, dhe opsioneve më transparente, të cilat duken më të lehta në thonj.
Ndryshe nga disa variante të tjera, ngjyra e qumështit të kokosit i përket spektrit të nuancave më të ftohta.

Edhe pse përshtypja e parë është se ngjyra të tilla lidhen më shumë me ditët e ftohta, në fakt ato janë zgjedhje ideale për verën. Pikërisht nëntoni i ftohtë i kësaj ngjyre e thekson edhe më shumë tenin e nxirë.
Falë kontrastit mes lëkurës së ngrohtë, të prekur nga dielli, dhe ngjyrës së ftohtë e qumështore të thonjve, thonjtë duken edhe më të bardhë, ndërsa lëkura edhe më e errët.
Për më tepër, kjo nuancë duket bukur si në thonj të shkurtër, ashtu edhe në thonj të gjatë, pavarësisht nëse forma është katrore, e rrumbullakët apo ovale.
Pikërisht për këtë arsye, me këtë trend mund të eksperimentoni edhe vetë dhe ta provoni manikyrin në kushte shtëpie. Ju nevojitet vetëm një limë e mirë për formësimin e thonjve dhe një llak cilësor, të cilin duhet ta aplikoni me kujdes. /Telegrafi/





































