Deklaratat e ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për përbërjen e kontestueshme të Gjykatës Kushtetuese kanë shkaktuar valë reagimesh nga opozita.

Haxhiu në një konferencë për media tha se gjyqtari Radomir Llaban, është bashkëpunëtor i BIA-s dhe i kryeterroristit Milan Radoiçiq.


Pas këtyre deklaratave ka reaguar deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku dhe shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami.

Çitaku, paralajmëroi se delegjitimimi i Kushtetueses është në kufijtë e rrezikshëm:

“Çdo përpjekje për të delegjitimuar institucionin, ë këtë rast GJK-në, është as më shumë e as më pak se thirrje për anarki. Ku ishit ju, të nderuar, para katër, tre, dy, një viti? Kishit pushtet absolut. Siguria kombëtare nuk mbrohet me konferenca për shtyp, por me veprime konkrete. Të mjerë dhe të rrezikshëm njëkohësisht”, ka shkruar Çitaku.

Ndërkaq shefja e deputetëve të LDK-së, Hykmete Bajrami e LDK-së tha se as Vjosa Osmanit, as LVV-së nuk iu ka penguar përbërja e Gjykatës në vitin 2020 kur ajo rrëzoi qeverinë.

“Albulenë, Sulmet që ju bëni gjykatave tregojnë më shumë për ju sesa për gjykatat. Po i bëni gati 5 vjet në krye të Ministrisë së Drejtësisë dhe, përpos sulmeve ndaj gjykatave, asnjë punë, asnjë reformë s’ta mban kush mend”, ka shkruar Bajrami.

Bajrami e përmbledh me një pyetje.

“Po shihet sheshazi se ju LVV dhe Vjosa Osmani po e doni Gjykatën Kushtetuese pa kuorum. Veç na tregoni pse? Sepse kjo veç Kosovës nuk i shkon për shtati”, u shpreh ajo. /Telegrafi/