Thesaret e humbura të Woody Guthriet, të shpëtuara nga IA-ja

Nga: Dave Simpson / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Me dëbimet masive të emigrantëve nëpër Amerikë - pa përmendur raportimet për njerëz të lidhur me pranga ose që detyrohen të gjunjëzohen dhe të hanë “si qen” - Nora Guthrie është e zhgënjyer meqë, për këtë çështje, nuk ka pasur më shumë zhurmë nga muzikantët.
“Kam dalë në protesta në çdo fundjavë,” thotë vajza 75-vjeçare e kantautorit Woody Guthrie dhe themeluese e Arkivit “Woody Guthrie”. “Dhe, e kam pyetur veten: ‘Ku janë këngët që mund të këndojmë për këtë?’”
Në kërkim të një kënge që i përshtatet momentit, ajo iu rikthye këngës Deportee [Të dëbuar], të cilën babai i saj e shkroi në vitin 1948 si reagim ndaj një aksidenti ajror në Kaliforni ku u vranë katër amerikanë dhe 28 punëtorë emigrantë meksikanë të cilët po dëboheshin. “Disa ditë më vonë, vetëm amerikanët u përmendën me emër, ndërsa të tjerët u quajtën ‘të dëbuar,” shpjegon vajza e Norës, Anna Canoni - e cila së fundmi ka marrë detyrën e presidentes së publikimeve “Woody Guthrie” - në një telefonatë të përbashkët nga Nju-Jorku. “Woody lexoi për këtë ngjarje në New York Times dhe të njëjtën ditë shkroi tekstin.”
Lexo po ashtu:
- Kënga që bashkon dhe “ndan” amerikanët - Woody Guthrie, ikona e folkut amerikan
Fillimisht një poezi, kënga (shpesh me nën-titullin Plane Wreck at Los Gatos / Rrëzimi i aeroplanit në Los Gatos) u bë e njohur nga këngëtarët e folkut, Martin Hoffman dhe Pete Seeger, dhe që atëherë është interpretuar edhe nga artistë si Bruce Springsteen dhe Joni Mitchell. Por, tani, falë përparimeve në teknologjinë e restaurimit të audios, përmes inteligjencës artificiale [IA], më në fund mund të dëgjojmë versionin origjinal të Guthriet të incizuar në shtëpi - dhe është befasuese se sa fuqishëm flet për mënyrën se si punëtorët emigrantë demonizohen edhe sot. Ai këndon: “Bien si gjethe të thata që kalben mbi dheun tim”, “dhe quhen vetëm ‘të dëbuar’.” Këngëtari Billy Bragg pohon: “Kur ICE [Agjencia për Emigracionin dhe Doganat në ShBA] po mbledh njerëz nëpër fusha, kjo këngë është më aktuale se kurrë.”
Fillimisht e publikuar si një singël, Deportee gjendet gjithashtu në Woody at Home, Vol 1 dhe 2, një koleksion i ri me 22 këngë nga incizimet e fundit të Guthriet (përfshirë 13 këngë që nuk ishin dëgjuar më parë), të realizuara në shtëpi në vitet 1951 dhe 1952 - vetëm disa muaj para se të shtrohej për herë të parë në spital për shkak të sëmundjes neurodegjenerative të Hantingtonit që çoi në vdekjen e tij në vitin 1967, në moshën 55-vjeçare.
“Ai ishte futur në listën e zezë [gjatë periudhës së McCarthyt, për shkak të aktivizmit], kështu që nuk mund të performonte më dhe nuk lejohej të dilte në radio,” thotë Nora. “Hantingtoni po depërtonte në trupin dhe mendjen e tij. Këto incizime janë një përpjekje e fundit për të nxjerrë këngët nga vetja, sepse ndjente se diçka nuk po shkonte siç duhet.”
Angazhimi i Guthriet për punëtorët emigrantë dhe drejtësinë sociale buronte nga përvoja personale. I lindur në një familje të klasës së mesme në Okemah të Oklahomës, ai ishte vetëm 14 vjeç kur familja e tij humbi shtëpinë dhe më pas jetoi përmes periudhës së thatësirës, depresionit të madh ekonomik, Luftës së Dytë Botërore dhe ngritjes së fashizmit. “Ai u detyrua të migrojë nga Oklahoma në Kaliforni,” thotë Bragg. “E dinte çfarë do të thotë të humbësh shtëpinë, të mbetesh pa asgjë, të jetosh në rrugë. ‘Okit [oklahomasit]’ nuk ishin aspak ndryshe nga punëtorët meksikanë - dhe përçmoheshin po aq.”
Duke performuar me sloganin “Kjo makinë vret fashistët” të shkruar mbi kitarën vet, Woody Guthrie pati debutimin më 1940, me Dust Bowl Ballads apo atë që Anna i quan “këngë të drejtpërdrejta për njerëz të goditur rëndë.”
Ai shkroi himnin e tij më të famshëm, This Land Is Your Land - një version i ri i të cilit hap albumin Woody at Home me strofa shtesë - pas një udhëtimi rrugor, siç thotë edhe teksti, “nga Kalifornia në ishullin e Nju-Jorkut”.
“Woody e shkroi këtë këngë sepse ishte vërtet shumë i irrituar që dëgjonte gjithandej këngën God Bless America [Zoti bekoftë Amerikën] të Irving Berlinit,” thotë Billy Bragg. “E bezdiste tmerrësisht. Unë madje kam parë dorëshkrimin origjinal të këngës dhe, në krye, Woody e kishte titulluar fillimisht God Blessed America for You and Me [Zoti e bekoftë Amerikën për mua e për ty], që më bën të mendoj se ai ka të drejtë të quhet kantautor alternativ - një lloj pank-rokeri.”
Nga fillimi i viteve ‘30 e deri në vitet ’50 të shekullit XX, Guthrie shkroi një numër të pabesueshëm prej tre mijë këngësh, nga të cilat incizoi më shumë se 700. Incizimet Woody at Home u bënë në apartamentin me qira të familjes në Bruklin me një pajisje primitive që ia kishte dhuruar publikuesi i tij, me qëllim që t’i shiste këngët tek artistët e tjerë. Ndërsa gruaja e tij punonte jashtë, këngëtari gjithnjë e më i sëmurë arriti të incizojë 32 bobina shiriti, duke u kujdesur ndërkohë për të tre fëmijët. Në këto incizime dëgjohen trokitjet në derë dhe madje edhe zëri i Norës kur ishte foshnjë, bashkë me mesazhe të shkurtra të incizuara si bisedë.
“Ai shkruante mbi divan, ndërsa ne fëmijët i hidheshim mbi kokë,” thotë Anna. “Shkruante mbi letra dhuratash apo letra kuzhine. Disa nga thëniet më të bukura të Woodyt i kemi gjetur në letra, si ajo që i shkroi Alan Lomaxit në vitin 1948: ‘Një këngë popullore është për atë që nuk është në rregull dhe si ta rregullosh.’ Ndonjëherë kishte kohë vetëm për një titull. Gjithçka i dilte aq shpejt, saqë duhej ta hidhte menjëherë në letër.”
Woody at Home përmban këngë të panjohura më parë për racizmin (Buoy Bells From Trenton), fashizmin (I’m a Child Ta Fight) dhe korrupsionin (Innocent Man), por gjithashtu shpalos edhe gjerësinë e repertorit të Guthriet. Ka këngë për dashurinë, për Jezus Krishtin, për atomet ... madje, edhe për Albert Einsteinin të cilin e kishte takuar dhe udhëtuar me tren. Norës i duket qesharake që babai i saj kishte shkruar “jo më pak se pesë këngë për larjen e enëve.”
Guthrie shkroi Old Man Trump, i njohur gjithashtu si Beach Haven Race Hate, për qiradhënësin e tyre, Fred Trump - babai i Donald Trumpit - dhe politikat e tij segreguese për strehim. Woody at Home përfshin edhe një këngë tjetër për të: Backdoor Bum and the Big Landlord. “Është në fakt historia e një njeriu që ka gjithçka, por nuk jep asgjë; dhe një tjetri që s’ka asgjë, por jep gjithçka,” thotë Nora. “Pjesa ime e preferuar është kur pronari arrin në Parajsë me ar. E dërgojnë në Ferr dhe ai thotë: ‘Më sillni menaxherin tuaj. Do ta blej këtë vend dhe do t’ju nxjerr jashtë.’ Arroganca dhe ndjenja e epërsisë janë të pabesueshme, por kjo e përshkruan qartë një personazh që të gjithë njohim. Ne kemi jetuar në ndërtesat e Trumpit. E dimë shumë mirë kush janë.”
Familja u zhvendos në Kuins ku, kur Nora ishte 11 vjeçe, hapi derën për një kantautor kureshtar 19-vjeçar me emrin Robert Zimmerman. Bob Dylani i ardhshëm kishte lexuar autobiografinë e Guthriet, Bound for Glory. “Isha pak e mërzitur sepse po shikoja [programin televiziv] American Bandstand dhe më duhej të hapja derën,” thotë ajo. “Ishte një djalë që dukej pluhurosur dhe i çuditshëm. Ia përplasa derën dhe u ktheva të shikoja televizor. Por, ai vazhdoi të trokiste.”
Filmi biografik për Dylanin, A Complete Unknown (2024), dramatizon takimet ikonike të vitit 1961 midis adoleshentit që do të bëhej legjendë dhe idhullit të tij të sëmurë e të shtruar në spital. Nora e pëlqen filmin, por thekson: “Babai im nuk ishte i vetëm në një dhomë, siç paraqitet në film. Ai ishte në një pavijon me 40 pacientë, në një spital psikiatrik, sepse atëherë nuk kishte pavijone të veçanta për njerëzit me sëmundjen e Hantingtonit. Kishte një dhomë me diell anash, ku Bobi e takonte, i sillte stilolapsa dhe cigare. Sa më kujtohet mua, Bobi jo vetëm që Woodyt ia këndonte këngët e veta” - Dylan më pas incizoi një homazh shumë të prekshëm, Song to Woody - “por, i këndonte edhe këngët e babait tim për të. Nuk mund ta theksoj sa duhet se sa i mirë ishte Bobi, por ai e kuptonte që Woodyt i duhej të dëgjonte çfarë kishte arritur.”
Në atë kohë, gjendja e Guthriet ishte shumë e rënduar. “Për shkak të sëmundjes së Hantingtonit, unë nuk e pata një baba në kuptimin tradicional të fjalës,” thotë Nora. “Ai nuk mund të fliste apo të mbante biseda të gjata si kjo që po bëjmë tani. Nuk kishim as kontakt fizik, sepse me Hantingtonin trupi është gjithmonë në lëvizje. Duhej t’ia mbaje krahët që të mund ta përqafoje. Nëse dilnim ndonjëherë për të ngrënë jashtë, njerëzit na shikonin sikur të ishte i dehur - dhe kjo më dhembte.” Nora u bë kujdestarja e Woodyt dhe, përmes përkushtimit të saj të palodhur për ruajtjen e trashëgimisë së tij, ka vazhduar të kujdeset për të që atëherë.
“Kjo ndodhi krejt rastësisht,” shpjegon ajo, duke treguar se kishte kaluar 10 vite si balerinë profesioniste kur - në vitin 1991 - menaxheri i Woodyt, që po tërhiqej nga puna, e thirri për të rregulluar disa kuti me dokumente. “Një nga gjërat e para që nxora ishte një letër nga John Lennoni,” thotë ajo, duke sjellë letrën e kornizuar, dërguar familjes në vitin 1975, për ta parë unë. Në të shkruhet: “Woody jeton, dhe kjo më gëzon.” Zbulimi tjetër ishin tekstet origjinale të This Land Is Your Land. “Ishte një thesar i vërtetë.”
Dhe, ende ka shumë për të zbuluar. Pasardhësit e tij shpresojnë të frymëzojnë kantautorët - dhe protestuesit e rinj të sotëm në të njëjtën mënyrë siç Woody frymëzoi Dylanin, Springsteenin dhe shumë të tjerë. “Ne e shohim veten si ata që mbajnë qymyrin ndezur,” thotë Anna. “Ne e mbajmë flakën e Woodyt gjallë në mënyrë që, sa herë dikush dëshiron të ndez zjarrin brenda vetes, Woody do të jetë aty - i nxehtë dhe i gatshëm.” /Telegrafi/


















































