Mbrëmjen e së mërkurës, në Prishtinë u mbajt premiera e filmit “The Lemurian Candidate”, një projekt i ri kinematografik që ka zgjuar interes tek publiku për shkak të përzierjes së komedisë, dramës dhe elementeve fantastiko-shkencore.

Telegrafi ishte i pranishëm në ambientet e Cineplexx Kosovo, ku ndoqi nga afër shfaqjen e parë dhe realizoi intervista ekskluzive me regjisorin Casey Cooper Johnson dhe producenten Antoneta Kastrati.


Regjisori i filmit, Casey Cooper Johnson, ndau me Telegrafin emocionet e premierës dhe rrëfeu se historia e filmit buron nga një eksperiencë personale.

“Tregimi është për një shok timin. Është i bazuar në inspirim prej një shoku që ka pasur sëmundje mentale. Kur kemi qenë të rinj, kemi bërë shumë camping dhe aventura, dhe filmi është një farë fantazie – një lloj sci-fi i frymëzuar pikërisht prej atyre përjetimeve tona”, tha ai.

Casey tregon se skenarin e shkroi shumë shpejt dhe se filmi u realizua me një buxhet modest, gjë që e bëri procesin sfidues, sidomos në fazën e post-produksionit.

“Kemi pasur buxhet shumë të vogël, por për faktin që e kemi xhiruar në vendin tim, në qytetin tim, kemi marrë shumë ndihmë nga komuniteti. Post-produksioni – montazhi, VFX-i, muzika – këto kanë qenë pjesët më të vështira. Por është një kënaqësi e madhe me e sjellë filmin këtu”, tha ai.

Casey Cooper Johnson (regjisor)

Ai shtoi se bashkë me Antonetën janë rikthyer në Prishtinë për të paktën një vit e gjysmë, për t’u përkushtuar edhe filmit të ardhshëm.

Producentja e filmit, Antoneta Kastrati, e cila njihet për suksesin e saj me filmin “Zana”, tregoi se këtë herë ka bërë një ndërrim rolesh me Casey-n: në “Zana” ai ishte producent, ndërsa tani ajo ka marrë rolin e producentes.

“Zakonisht unë e shkruaj dhe jam regjisore e producente në filmat e mi. Por kur e lexova skenarin – edhe pse është komedi me elemente fantastiko-shkencore - më preku shumë tregimi. Është një histori për miqësinë dhe shoqërinë”, u shpreh Antoneta.

Ajo tregoi se përpos prodhimit, ka qenë e përfshirë edhe në montazh, duke e përjetuar të gjithë procesin ndryshe nga projektet e saj të mëparshme.

“Jam shumë e kënaqur. Po, filmi është komedi, por mesazhi është serioz. Për mua, rëndësi ka tregimi – nëse një tregim të lidh dhe ka diçka për të thënë, më bën të jem pjesë e tij”.

Antoneta Kastrati (producente)

“The Lemurian Candidate” është një dramedi psikedelike, që ndërthur një buddy-road movie me komedi sci-fi. Filmi ndjek tre miq – Tom, Stan dhe Jesse – të cilët nisen në një udhëtim në Mt. Shasta. Ajo që fillon si një përpjekje për ta ndihmuar Jesse-n të rikthehet në trajtim, shndërrohet në një aventurë halucinante, ku ndërlidhen miqësia, konfliktet e vjetra dhe realiteti që fillon të përkulet.

Filmi ofron një histori komike, por njëkohësisht të thellë emocionalisht, duke sjellë një perspektivë të re mbi kujdesin ndaj një miku që po përballet me botën e vet të brendshme.

Filmi është i disponueshëm për publikun në Cineplexx Kosovo, ku pas premierës së djeshme do të shfaqet në orare të rregullta. /Telegrafi/

- YouTube youtu.be