I miratuar 8 muaj më parë, më 13.07.2023, në Kuvendin e Kosovës, Ligji për çmimin e produkteve medicinale nuk ka filluar së zbatuari ende.
I njohur ndryshe si Ligji për çmimin e barnave, ky akt normativ ka për qëllim kursimin e xhepit të qytetarëve dhe mbrojtjen e tyre nga abuzimet me çmimet e larta për barna.
Ligji ka hyrë në fuqi më 18.08.2023, ndërsa neni 19 i tij thotë që lista e çmimeve të barnave publikohet për herë të parë 4 muaj pas hyrjes në fuqi, e zbatimi i tij fillon 6 muaj pas.
Në mungesë të zbatimit të Ligjit, barnat e njëjta vazhdojnë të shiten me çmime të ndryshme.
E komisioni përgjegjës për krijimin e listës së çmimeve të barnave ka filluar punën më 22.01.2024 dhe deri më sot ka mbajtur vetëm 2 mbledhje.
Kur ishte miratuar si Projektligj nga Qeveria e Kosovës, më 08.03.2023, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte thënë se për herë të parë në vendin tonë po krijojnë një sistem rregullativ për çmimin e barnave.
“Kësilloj qytetarët tanë, me hyrjen në fuqi të Ligjit do të jenë të mbrojtur nga çmimet abuzuese, të papërballueshme e të paunifikuara të barnave anekënd vendit tonë, ndërsa shpenzimet për furnizimin me barna nga buxheti i shtetit më të përballueshme dhe më të kontrolluara” – kishte thënë Vitia.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, atë ditë pati thënë se barnat duhet të jenë edhe të disponueshme, edhe të përballueshme e se ky Projektligj mundëson vendosjen e çmimeve tavan dhe të unifikuara për ilaçet.
“Nuk mjafton që ato të jenë në raftet e barnatoreve, nëse nuk janë në sirtarët e shtëpive tona. Nuk mjafton që t’i ketë farmacisti, nëse nuk i ka pacienti. Na duhen të dyja, pa kursyer shëndetin dhe duke kursyer xhepin” – kishte thënë i pari i ekzekutivit një vit më parë.
Ministria e Shëndetësisë (MSH), si përgjegjëse për zbatimin e këtij Ligji, tha se komisioni për përcaktimin e çmimeve për produkte medicinale është në pritje të miratimit të propozimit për caktimin e datave për deklarimin e çmimeve nga ana e ministrit.
Sipas Ministrisë, ky komision ka filluar punën më 22.01.2024.
“Komisioni është i gatshëm të punoj intensivisht në mënyrë që Lista e çmimeve të produkteve medicinale të publikohet sa më shpejt” – ka thënë ministria.
Megjithatë, Ministria nuk dha një datë se kur do të fillojë zbatimi i Ligjit e as nuk u përgjigj për arsyet e mosfillimit të zbatimit deri më tani.
Ky komision, siç tha Ministria, përbëhet nga Virtyte Krasniqi – kryesuese dhe nga anëtarët Ilir Kurti, Bashkim Sadiku, Besim Azemi, Sulltane Havolli, Besnik Stavileci dhe Hilmi Shala. Ndërsa, sekretaria e komisionit përbëhet nga Teuta Rexhepi, Sabit Kozmaqi, Arbnore Beka, Burbuqe Mataj dhe Almira Paçarizi.
Si përcaktohen çmimet e barnave?
Ligji për çmimin e produkteve medicinale ka parashikuar metodologjinë e përcaktimi të çmimit të barnave, e cila bëhet nga komisioni i emëruar nga ministri, i përbërë nga 7 anëtarë.
Bazë e përcaktimit të çmimit është metodologjia e çmimeve referente të jashtme.
“Burimet e të dhënave në lidhje me çmimin me shumicë të produkteve medicinale janë publikimet e raporteve zyrtare më të reja të kohës, portali zyrtar në rrjet i institucioneve përgjegjëse zyrtare të këtyre shteteve referente: Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Kroaci dhe vendi i origjinës” – thuhet në nenin 8.2 të këtij Ligji.
Ligji parasheh 4 lloje të çmimeve: çmimi me shumicë, çmimi me shumicë për produkte gjenerike, çmimi me pakicë dhe çmimi me pakicë për produkte gjenerike.
Produktet gjenerike janë produkte të zhvilluara që të jenë të njëjta sikurse produkti medicinal paraprakisht i autorizuar. Ato përmbajnë të njëjtën substancë si produkti origjinator dhe përdoren në të njëjtën dozë për të trajtuar sëmundjen e njëjtë. Gjenerikët prodhohen pas skadimit të patentës për ilaçin origjinal apo të drejtave të tjera ekskluzive dhe pa licencë nga ana e kompanisë inovatore, duke ofruar një alternativë më të përballueshme.
Ky akt normativ rregullon edhe lartësinë e marzhës, publikimin zyrtar të çmimeve, mbikëqyrjen, të drejtën e ankesës dhe sanksionet kundërvajtëse.
Organi epror që shqyrton ankesat ndaj listës zyrtare të çmimeve është Komisioni i Ankesave, i emëruar po ashtu nga ministri, i përbërë nga 5 anëtarë, me mandat 3-vjeçar.
Sanksionet kundërvajtëse ndaj atyre që shkelin këtë Ligj janë gjoba nga 1 mijë deri në 10 mijë euro dhe inicimi i procedurës për revokimin e licencës së farmacistit dhe/apo licencës së farmacisë.
Mbikëqyrja e zbatimit të këtij Ligji bëhet nga Inspektorati Farmaceutik.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në seancën e Kuvendit, më 29.02.2024 ka thënë se këtë Inspektorat e ka gjetur me vetëm 12 inspektorë, ndërsa janë në proces të rekrutimit të 33 inspektorëve të tjerë në total.
Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit të kaluar ka hapur dy konkurse për pranimin e 33 inspektorëve të rinj, prej tyre 25 shëndetësorë dhe 8 farmaceutikë.
Kryeinspektorja farmaceutike Remzie Thaqi tha se inspektorët e rinj të pranuar nuk kanë filluar ende punën dhe nuk janë të njoftuar se kur do të fillojnë.
KALLXO.com i ka dërguar pyetje lidhur me këto konkurse Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila i ka hapur ato, mirëpo MPB nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Ndalohet një person në Tetovë, dyshohet për vjedhje
Dita e Lirisë së Shtypit, Rama: Duhen veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik
Osmani: Liria e shtypit thelbësore për demokracinë – beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente
Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, e kishte dhunuar seksualisht një vajzë nën moshën 14-vjeçare
Mediat në Ballkan, politika, ndikimi dhe sulmet ndaj gazetarëve “Reporterët Pa Kufij” japin alarmin e shqetësimin
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon ndryshime urgjente në kalendarin e festave zyrtare - të mos pushohet në ditët e javës kur festat bien në vikend
Rama: Spitali i Kryeqytetit po bëhet, shumë shpejt projekti do të tenderohet
Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij
Mexhiti, Ahmetit: A është e vërtetë se keni bërë thirrje për bojkot të zgjedhjeve presidenciale
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
Bëhen bashkë pas dy vitesh Blero e Afrona Dika
Çfarë thuhet në alarmin e NATO-s për aktivitetet 'armiqësore' ruse në Evropë?
“Thellohet misteri” – bleu apo jo SHBA-ja, 81 aeroplanë të vjetër sovjetikë nga Kazakistani?
Nga qershori Aeroportit të Prishtinës i shtohet edhe një linjë e re fluturimi
Xhaka me Bayer Leverkusenin hap të madh drejt finales, Roma bie në ‘Olimpico’
"Nuk ka mbaruar ende, na duhet edhe një gol kundër Romës për finale" - Xhaka flet pas fitores së madhe