Teksasi kryen dënimin e parë me vdekje për vitin 2026

Një burrë nga Teksasi, i cili dikur i shpëtoi paraburgimit dhe kaloi tre ditë në arrati pasi u dënua me vdekje për vrasjen e ish-të dashurës dhe të dashurit të saj të ri, u ekzekutua duke u bërë kështu personi i parë i ekzekutuar në Shtetet e Bashkuara këtë vit.
Charles Victor Thompson, 55 vjeç, u shpall i vdekur pas një injeksioni vdekjeprurës në burgun shtetëror në Huntsville.
Ai u dënua për vrasjen me armë zjarri në prill të vitit 1998 të ish-të dashurës së tij, Glenda Dennise Hayslip, 39 vjeç, dhe të dashurit të saj të ri, Darren Keith Cain, 30 vjeç, në periferi të Houstonit.
Prokurorët thanë se Thompson dhe Hayslip kishin pasur një lidhje romantike për një vit, por u ndanë pasi Thompson "u bë gjithnjë e më posesiv, xheloz dhe abuziv".
Sipas të dhënave të gjykatës, Hayslip dhe Cain po dilnin bashkë kur Thompson shkoi në apartamentin e Hayslip dhe filloi të grindej me Cain.
Policia u thirr dhe i tha Thompson të largohej nga kompleksi i apartamenteve.
Ai u kthye përsëri tre orë më vonë dhe qëlloi si Hayslip ashtu edhe Cain.
Cain vdiq në vendngjarje, dhe Hayslip vdiq në spital një javë më vonë.
"Familjet kanë pritur mbi 25 vjet që të vihet në vend drejtësia", thanë prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Qarkut Harris në dosjet gjyqësore.
Rreth një orë para ekzekutimit të planifikua, Gjykata Supreme e SHBA-së - pa shpjegime - lëshoi një urdhër të shkurtër duke hedhur poshtë apelin përfundimtar të Thompson.
Ndryshe, Teksasi historikisht ka kryer më shumë ekzekutime se çdo shtet tjetër. /Telegrafi/



















































