LAJMI I FUNDIT:

“Teatri, vitet ‘50”

“Teatri, vitet ‘50”

Teatri Kombëtar ka hapur ekspozitën “Teatri, vitet ’50” në hollin e “arTurbinës”. Ekspozita do të qëndrojë hapur përgjatë gjithë mbrëmjeve të shfaqjes “Gusht: portret familjar”.

Për publikun, nga arkivi i teatrit janë prezantuar foto nga shfaqjet e ndryshme të atyre viteve, ku nuk mungojnë të ekspozuara dhe veshjet e aktorëve që kanë interpretuar në skenë.


Teatri gjatë viteve ’50 i solli publikut aktorë me role të paharruara, duke nisur me punën e aktorit Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Marie Logoreci etj. Më pas erdhi Margarita Xhepa, Drita Pelinku, Tinka Kurti, Sulejman Pitarka dhe Ndrek Luca.

Më 25 maj 1945 u krijua për herë të parë në historinë e Shqipërisë, “Teatri Profesionist i Shtetit”. Ky teatër erdhi nga bashkimi i dy grupeve të njohura teatrore, ai i qarkut të Gjirokastrës me regjisor Andon Panon dhe ai i qarkut të Korçës me regjisor Sokrat Mion. Teatri qendror kishte në përbërje 35 artistë të zgjedhur.

Ai krijoi një repertor aktiv, sa të trashëguar nga grupet teatrore partizane, po aq edhe me pjesët e reja që viheshin në skenë. Për kohën ishin shfaqjet si “Orët e Kremlinit”, “Mbi gërmadha”, “Doktor Aleksi”, “Studentja e vitit të fundit”, “Ngjarje në fabrikë”, “Sinjali i kuq”, “Përmbytja e madhe”, “Shënomëni dhe mua”, “Lulet e shegës” etj.

Në vitet ‘50 dhe fillimin e viteve ‘60, repertorin e mbizotëroi dramaturgjia sovjetike. Në TK u rritën dhe u afirmuan regjisorët e plejadës së parë, si Sokrat Mio, Pandi Stillu, Andrea Malo, për të mbërritur në një stad të lartë pjekurie profesionale me regjisorët Pirro Mani, Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi, Fatos Haxhiraj, Dhimitër Pecani, Agim Qirjaqi, Gëzim Kame etj.

Aktorët e Teatrit Kombëtar janë bërë pjesë e kujtesës historike të artit skenik, po ashtu edhe e kujtesës kombëtare. /ata/