Teatri “Nexhip Menekshe” shënon Ditën Ndërkombëtare të Romëve me dramën “Në Kërkim”

Teatri Rom “Nexhip Menekshe” në Prizren edhe sivjet vazhdon traditën e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve me premierën e një shfaqjeje teatrore.
Këtë herë për audiencën është përgatitur shfaqja “Në Kërkim” e autorit Bertolt Brecht, me regjisorin Mahir Musliu.
Sipas njoftimit të këtij teatri, premiera jepet me 7 prill 2025, në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu” në kuadër të manifestimit të 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
“"Frika e Madhe dhe Mjerimi në Rajhun Tretë" derivati i së cilës është shfaqja jonë "Në kërkim", është një vepër kryesore teatrore nga dramaturgu me famë botërore, Bertolt Brecht, shkruar në vitin 1938. E përbërë nga një sërë skenash të pavarura, ajo përshkruan jetën e përditshme nën regjimin nazist, duke theksuar frikën, propagandën dhe represionin sistematik të kudondodhur”, thuhet në përshkrimin e shkurtër të dramës, raporton Telegrafi.
Tri akte të pavarura të kësaj përmbledhje dramash, sipas njoftimit, rrëfejnë jetën nën torturë e represion.
“Secili nga këto akte kanë pavarësi dramaturgjike në të cilën fatet e personazheve bëjnë jetë të zymtë dhe nën shtetrrethim. E shkruar ndërsa autori ishte i mërguar në Danimarkë, shfaqja paraqet një tablo realiste që tregon se si jeta e zakonshme nën nazistët përshkohej në mënyrë delikate nga dyshimi dhe ankthi”, thuhet në njoftim.
Përgatitjet për këtë projekt kanë nisur disa javë më parë. /Telegrafi/



















































