Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur mbrëmjen e së hënës në rrugën “Ali Hadri” në Prizren.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se rreth orës 22:50 policia ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në këtë zonë.


“Sipas informatave fillestare, si pasojë e të shtënave dy persona kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Sipas ekipit mjekësor, viktimat ( F.T. dhe V.H. nga Prizreni) janë jashtë rrezikut për jetë dhe vazhdojnë trajtimin e mëtejmë mjekësor,” ka deklaruar Bytyqi.

Ai ka shtuar se në vendngjarje kanë dalë njësitet policore, hetuesit kujdestarë, si dhe prokurori kujdestar, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes.

Po ashtu, sipas Policisë, janë identifikuar tre persona të dyshuar, janë bastisur tre lokacione, ndërsa një armë zjarri është gjetur dhe sekuestruar.

Të dyshuarit aktualisht ndodhen në kërkim.

“Rasti është duke u hetuar intensivisht nga njësitet përkatëse policore,” ka bërë të ditur Bytyqi. /Telegrafi/