LAJMI I FUNDIT:

Të shmangësh apo të ngresh tensionet?

Të shmangësh apo të ngresh tensionet?
Ilustrim

Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës në institucione të ndryshme të vendit, sikurse është bërë e njohur, morën vendimin për t’u larguar nga këto të fundit. Flamuj serbë, madje dhe posterë me fjalët dalluese “Kjo është Sërbia”, “Zhivella Sërbija”, kanë zënë më tepër vend këto ditë nëpër rrugë dhe objekte të ndryshme. Kthimi i tyre në këto institucione kushtëzohet me atë që qeveria Kurti të tërheq vendimin e njohur për targat dhe deri në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, në përputhje me marrëveshjet e arritura gjatë dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Siç shihet dhe këto ditë, tensione të tilla ngrihen sa herë kërkohet zbatimi në terren i vendimeve të qeverisë së Kosovës. Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke iu përmbajtur të njëjtit avaz, vazhdon me retorikën e njohur se Serbia është për zgjidhje paqësore të problematikave të ndryshme, sikurse është fjala për targat dhe çështje që lidhen me dokumente të identitetit. Sigurisht, targat për Serbinë janë thjesht sebepi për t’i vënë trekëmbësha dialogut, normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, vetë planit më të fundit franko-gjerman.


Brukseli, nga ana e tij, përballë këtyre tensioneve hyn në rolin e vet, të qetësuesit të gjakrave. Por, tensionet sa duken sikur ulen, ngrihen sërish, gjë që duhet ta shkundë Bashkimin Evropian për të mos arritur në pasoja të padëshirueshme për rajonin. Është ky shqetësim që e bën ambasadorin e ShBA-së në Beograd, Christopher Hill, të kërkojë nga presidenti serb, Vuçiç, që Beogradi të mos e rrezikojë paqen në rajonin e Ballkanit. Në të njëjtën ditë, bie në sy takimi i Vuçiqit me ambasadorin rus dhe atë kinez. Po kështu, nxitimthi, anëtari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Millorad Dodik, i kudondodhur, duke mbështetur serbët në Kosovë, pas takimit të tij me presidentin e Serbisë dhe Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, nuk vonoi të bëjë të njohur se “Republika Sërpska e Bosnjës është e përgatitur për mbrojtjen e popullit serb në Kosovë, i cili nuk do të lihet kurrë vetëm atje”.

Në këto tensione të kurdisura, qeveria e Albin Kurtit në Prishtinë nuk mund të mos tregojë maturi në vendimet e veta, kur është fjala si në rastin konkret, me ato që lidhen me veriun e Kosovës. Një bashkëpunim më i ngushtë me BE-në dhe ShBA-në do t’i bënte veprimet e saj më të duhurat për shtensionimin e situatës në dobi të paqes dhe sigurisë në vend dhe më tej. Presidenca e Kosovës gjithashtu nuk mund ta justifikojë qëndrimin e saj në këto momente jo pak të vështira, duke mbetur thjesht në komunikata që dënojnë regjimin e Vuçiqit për përdorimin e “Listës Serbe” si mjet për destabilizimin e Kosovës. Ajo së toku me qeverinë Kurti dhe ndërkombëtarët kërkohet të shohë ato zgjidhje që situata të mos acarohet më tej, duke i qëndruar më pranë dialogut. Kështu, edhe kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e Republikës së Kosovës do të respektohen edhe më mirë.

Serbia, kokë dhe këmbë, sa te Rusia dhe BE-ja, duket që ngulmon në atë që procesi i dialogut të minohet dhe, për pasojë, marrëveshja të mos realizohet. Kërkohet kështu që situata të kthehet në gjendjen e viteve të mëparshme dhe propozimi franko-gjerman të mbetet thjesht pa kurrfarë veprimi. Ndryshe nuk mund të shpjegohet dhe qëndrimi i para dy ditëve i kryediplomatit serb, Ivica Daçiq, sipas të cilit nuk përfillet ky plan nën pretekstin se përkrahet Kosova. Pra, çështja e targave, siç thamë dhe më sipër, edhe më tej shfrytëzohet nga udhëheqja serbe në interes të një situate të ngrirë për të matur pulsin e për të shkallëzuar nesër veprimet e saj, sipas një plani strategjik, bekuar nga vëllai i madh, Rusia.

Të gjitha këto rritin syçeltësinë e qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit të saj Albin Kurti, duke mos lënë jashtë vëmendjes këshillat e BE-së dhe të ShBA-së. Droja se ai mund të humbasë në opinionin kosovar nga autoriteti i tij nuk gjen vend ku mund të mbështetet. As për t’u treguar “patriot i vendosur”. Përkundrazi. Vërtet që vendimi i qeverisë së Kosovës për targat është i drejtë, por kjo nuk do të thotë që të mos dëgjohen perëndimorët dhe të tërhiqet përballë patriotizmit folklorik të tij dhe nevojës për miqtë e vërtetë-aleatë strategjikë. Është fjala për interesin e Kosovës, stabilitetin e saj dhe që uji të mos shkojë në anën serbe.