LAJMI I FUNDIT:

Të premten, Mariano Rajoy përballet me votëbesim në parlament

Të premten, Mariano Rajoy përballet me votëbesim në parlament

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy do të përballet me një votëbesim në udhëheqjen e tij të premten, pas skandalit korruptiv që ka përfshirë partinë e tij Popullore.

Parlamenti spanjoll arriti të hënën dakordësinë që debati dhe votimi të mbahen ditën e enjte dhe të premte, edhe pse socialistët opozitarë të cilët propozuan votimin, mund të kenë vështirësi në sigurimin e mbështetjes së mjaftueshme për të larguar Rajoy.


Paraprakisht, Partia e Qytetarëve ka deklaruar gatishmërinë për të bashkëpunuar me Socialistët në gjetjen e një kandidati neutral për të zëvendësuar Rajoy.

Partitë opozitare po përfitojnë nga momenti i dobët në të cilin kryeministri ndodhet pas krizës së nxitur nga votimi për pavarësinë e Katalunjës dhe pas dënimit të 29 personave të lidhur me Partinë Popullore për krime që përfshijnë shpërdorimin e pushtetit dhe falsifikimin e llogarive bankare, që kulmon një proces të gjatë gjyqësor mbi çështjet e korrupsionit.

Partia Popullore i ka garantuar mbështetjen kryeministrit Rajoy i cili deklaroi se do të përfundonte mandatin e tij 4-vjeçar dhe nuk do të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme, pasi dënimi për korrupsion nuk prek asnjë anëtar të qeverisë së tij. 63-vjeçari i mbijetoi një mocioni mosbesimi qershorin e kaluar. /oranews.tv/