“Të mjerët na për patriotë që paskemi pasë ...”

Letra e Dom Lazër Shantojës (1891–1945) për Imzot Lazër Mjedën (1869–1935).
Nga: Kolec Çefa
Një prirje e brendshme, pothuaj, e papërmbajtshme, impulsonte Shantojën drejt artit epistolar ku shprehu qartë atë intimitet të sinqertë shantojan - plot shkëndija artistike, me merita njohëse, letrare, edukuese, ku shpesh vetëtinë ndonjë kritikë, satirë a sarkazëm për shoqërinë e kohës e për njerëzit e politikës, ndriçuar me humor të këndshëm, qesh e ngjesh. Në këtë epistolar lexuesi shijon meditacion e ndjenja të autorit, kontribut letrar e lexon për jetën e tij të trazuar si rrallëkush, se qe viktimë e fatit, e më shumë viktimë e armiqësisë politike dhe e veqilëve të diktaturës. Për fat të keq, letërkëmbimi i tij është i pambledhur, i panjohur, i pahulumtuar, bile rezulton mjaft i humbur.
Lexo po ashtu nga Lazër Shantoja: Shkrimtarët e rij
Prandaj, na mungon ky letërkëmbim plot mall mërgimi, plot dëshirë të kthejë në atdhe, plot panorama të gjelbërta letrare të këtij stilisti të rrallë që vuajti e vuajti jo pak, deri për bukën e gojës: i shqetësuar prej thashethemeve; i torturuar në mënyrë çnjerëzore; i pushkatuar e mbetur ende pa varr. “Një libër kujtimesh”, shkruante Shantoja, “ka gjithherë ... duken e një autobiografie”.
Me zemër të thyer e me dëshira të vrara braktisi zyrën, iku nga atdheu, “Kjeçë i shternguem me lanë atdheun e zyrën”. E jetoi me dhimbën e mërgimtarit e me shpresën e kthimit. Vokacioni i vërtetë “Unë jam e do të vdes meshtar”, e dashuria e ndezur i frymëzuan forcë të gjallë e shpresë të ngulur me mbajt vuajtjet në dhe të huaj, për të duruar nëpërkëmbjet e të huajit, mallin e njerëzve të dashur. “Kam shpresue se ma, apo vjen koha me kthye në atdhe të dashun e, me marrë aty shërbimin fetar tash sa vjet të këputun”.
Vuajti për bukën e gojës, se nuk mund të merrte famulli pa ndërruar nënshtetësi e duroi pa ndërruar. (“Nji jetë e papunë kenka puna ma e merzitshme që mund t’jetë”). I kërkoi leje Imzot Mjedës, me ndërhye te Mbreti [Ahmet Zogu], ta lejojë me kthye në atdhe ose shpërblim për të nxjerrë dokumente jashtë shteti për Shqipëri. Nuk u përgjigj, por shkroi: “Lus Zotin që t’agojë shpejt ajo ditë e lume, kur të mundem me kthye n’atdhe në mjes të vllazënve të mij e, përkrah t’Argjipeshkvit t’em, me punue për të mirën e lulzimin e atdheut”.
Sa arriti në Itakë (La Motte) hodhi tharmin në brumin e kujtimeve. Përktheu Hermandi e Dorotea e vazhdoi veprimtarinë për famullinë e vet e për letërsinë kombëtare. Zëri i emigrantit filloi të dëgjohej përsëri ndër Kujtime mërgimi, ndër memuare Kujtime françeskane e ndër letra të hapura, letrare. Mjafton të përmendim Letër e hapun, drejtuar Fishtës, (1932) botuar nga Koliqi, që e quajti “margaritar i çmueshëm”.
Jetoi shije-prishur mes ëndrrës joshëse e realitetit të hidhur e shkroi: “As n’qiell, as n’tokë”; provoi mungesën e bukës së përditshme e mungesën e veprimtarisë shoqërore, duke kujtuar vargjet e poetit të pavdekshëm: “S’ka dhimbë ma të madhe se me kujtue kohën e lumtun, kur t’jeshë n’mjerim e n’vaj”. Mos e pastë kush fatin e tij!
***
Letra e Dom Lazër Shantojës nga Vjena për Imzot Mjedën
Vjenë, 31.I.1928
Fort i Përndritshmi e i dashuni Emzot
Edhe dy muej mbushen 3 vjet q’se kjeqë i shternguem me lanë atdhenë e zyrën që aty ushtrojshe. Gjasa për kthim asht tue u ba për ditë edhe ma e vështirë dhe e largët për mue. Unë, derisa të vijojë në Shqipni regjimi i soçem, e kam damun mos m’u kthye në asnjë konditë e me kurrnji garanci. Preferoj ma mirë me dekë rrugash se me kthye aty ku e dij se çka më pret. Nga ana tjetër, edhe kjo jetë që jam tue ba, asht tepër e rrezikshme, si për shpirt, ashtu për korp.
Nji luftë ma e gjatë kundër Zogut, po më duket tash krejt pa qellim, sidomos kur të konsideroj se kush, në rasën e fitimit tonë, do t’ja xanë vendin ...! Të mjerët na për patriotë që paskemi pasë. Diziluzionet e mija janë kaq të mëdhaja e kaq të rranjosuna, që kam damun m’u shporrë fare prej politiket. Mendoj me lakmi të madhe rahatinë e pagjen që kam gëzue në Pulaj e në Sheldi. Shkëlqesi, do të keni ndie ndoshta gjithfarë lajmesh mbi jetën teme këtu.
Me ket letër nuk vi m’u rrëfye, por po i diftoj Shkelqesis s’Ue sa ma parë ket nderë e, do të më shkrueni nëpërmjet konsulatës italjane në Shkodër. Kur një D.N.T. ka gjetë famulli ... kujtoj se mundem edhe unë me e pasë ket nderë? U lutem mos m’u mundue me më mbushë menden m’u këthye e me marrë ndonji deçizion tjeter, pse asht kot. Në kjoftë se Shkelqesia Juej, nuk doni me më dhanë dokumentat kishtare të nevojshme me ushtrue zyren t’eme atje, unë kam me kenë i ngushtuem, me shkue edhe pa ta. Kini dhimbë per nji që u ka nderue, u ka çmue, u ka dashtë e ka kenë dhe asht Jueji.


















































