LAJMI I FUNDIT:

Të lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin – Departamenti amerikan i Thesarit sanksionon disa individë edhe biznese në Kosovë

Të lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin – Departamenti amerikan i Thesarit sanksionon disa individë edhe biznese në Kosovë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është Zvonko Veselinoviq.

Sipas Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit (OFAC), përveç Veselinoviq janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radojçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.


Ky grup, sipas Departamentit të Thesarit i ka të regjistruara 11 biznese në Kosovë, 10 në Serbi, nga një në Kroaci dhe Bullgari.

Thesari thotë se ky grup ka qenë i përfshirë në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis dy vendeve.

Departamenti i Thesarit thotë se sanksionimi do t’i prek pronat e atyre që janë në SHBA ose në zotërim nga individët amerikanë.

Si rezultat i veprimit, të gjitha pronat e personave [të mësipërm] që janë në Shtetet e Bashkuara ose zotërohen nga personat amerikanë janë bllokuar dhe duhet të raportohen në OFAC. Gjithashtu, është bllokuar edhe çdo subjekt që zotërohet, drejtpërdrejt ose tërthorazi, 50 për qind ose më shumë nga një ose më shumë persona të bllokuar. Ndalimet përfshijnë dhënien e çdo kontributi ose ofrimin e fondeve, mallrave ose shërbimeve nga, për, ose në dobi të çdo personi të bllokuar ose marrjen e ndonjë kontributi ose ofrimin e fondeve, mallrave ose shërbimeve nga çdo person i tillë”, thekson Thesari amerikan.

Sipas tyre, bazuar në “Aktin Magnitsky“, korrupsioni minon vlerat e shoqërisë dhe kanë ndikime shkatërruese mbi individët.

“Duke u bazuar në Aktin Magnitsky të Përgjegjshmërisë për të Drejtat e Njeriut, abuzimi me të drejtat e njeriut dhe korrupsioni minojnë vlerat e shoqërisë dhe kanë ndikime shkatërruese mbi individët; dobësim të institucioneve demokratike; degradim të shtetit të së drejtës; përjetësojnë konflikte të dhunshme; lehtësojnë aktivitetet e personave të rrezikshëm; dhe minojnë tregjet”, thuhet në dokumentin e Aktit Magnitsky.

Po ashtu, sipas Departamentit amerikan të Shtetit, gjatë vitit 2021, Kosova kishte vazhduar të mos e ndëshkonte korrupsionin.

Raporti “Praktikat e të drejtave të njeriut“, thekson se zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar dhe se mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kontribuuan në këtë problem.

“Zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kontribuuan në problem. Çështjet e korrupsionit në mënyrë rutinore i nënshtroheshin apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte që statutet e parashkrimit të skadonin pa u gjykuar çështjet”, thuhet në raport.

Aty theksohet se Prokuroria e Posaçme ngriti nëntë aktakuza lidhur me korrupsionin deri në dhjetor të vitit 2021, por një pjesë e vogël e rasteve të korrupsionit që u hetuan dhe për të cilat u ngritën akuza, përfunduan me dënime.

Organizatat jo-Qeveritare vendase dhe organizatat ndërkombëtare, thuhet në raport, pretenduan për dështime të shumta nga sistemi gjyqësor për të ndjekur penalisht korrupsionin, duke vënë në dukje se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë rezultuan me dënime dhe dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë për korrupsion ishte shpesh i butë.

Kush janë individët dhe bizneset që u sanksionuan nga Departamenti amerikan i Thesarit?

Nga të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), shumica e bizneseve si agjent të autorizuar kanë Zvonko Veselinoviqin.

Z. T. R. Prizma B. I. si biznes është regjistruar në vitin 2010 në Graçanicë me përfaqësues të autorizuar Aleksandar Trajkoviq, ku si aktivitet primar ka riparimin e artikujve personal dhe shtëpiak.

Njëri nga bizneset e regjistruara në emër të Zvonko Veselinoviqit | Burimi: ARBK

Kompania Ferari Preduzece za Usluge i Promet Polovnim Vozilima SH. A. është në pronësi të Zvonko Veselinoviqit, ku si aktivitet kryesor ka tregtinë me pakicë të mallrave të përdorura në dyqane, ku është themeluar në vitin 2002 në Mitrovicë.

Vëllai i Veselinoviqit, Zharko ka në posedim biznesin S. T. R. Kristal që është regjistruar në vitin 2005 me seli në Mitrovicë që si aktivitet ka formësimin dhe përpunimin e qelqit të rrafshët.

Në pronësi të Radule Steviq janë dy kompani. P. T. P. Rad si aktivitet primar ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, e themeluar në vitin 2013 në Zveçan. Ndërsa, biznesi Rad D. O. O. ka të njëjtin aktivitet dhe adresë si kompania e parë, por që është themeluar në vitin 2018.

Njëri nga bizneset e regjistruara në emër të Milan Radisavljeviqit | Burimi: ARBK

Sinisha Nedeljkoviq ka në pronësi katër biznese. P. T. P. Metal në ARBK është e regjistruar që nga viti 2001 me seli në Zveçan, ku si punë kryesore ka tregtinë me pakicë të artikujve elektronikë, ngjyrave dhe xhamit, në dyqane të specializuara, si nën kompani zotëron P. P. Robna Kuca Metal B. I., ndërsa Robna Kuca Metal D. O. O. vepron po ashtu në Zveçan, ku është regjistruar në vitin 2017 më aktivitet kryesor tregtinë me shumicë të pajisjeve elektroshtëpiake. Biznesi i katërt që zotëron Nedeljkoviq është Sinisa Nedeljkoviq B. I. e regjistruar në Shtërpcë në vitin 2015 më aktivitet shërbimin e pijeve.

Pjesëmarrësi tjetër i grupit kriminal të Veselinoviqit, Miljan Radisavljeviq ka në pronësi kompaninë P. P. Babudovac B. I. që është e regjistruar në vitin 2004 në Zubin Potok, me aktivitet primar tregtinë me shumicë të drithërave, duhanit të papërpunuar, farërave dhe ushqimit të kafshëve.

Ndërsa, Radovan Radiq ka në pronësi kompaninë Radovan Radic B. I. e regjistruar në vitin 2014 në Zubin Potok, e cila merret me përgatitjen e vendpunishteve.

Sanksionet amerikane në vendet e Ballkanit Perëndimor

Përveç Kosovës, lista e sanksioneve ishte zgjeruar edhe ndaj individëve në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Nga Shqipëria, në listën e Departamentit të Thesarit janë Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi.

“Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri”, thuhet në vendimin e Departamentit të Thesarit.

Për Ylli Ndroqin thuhet se, “është një pronar mediash, pasuritë e të cilit janë sekuestruar nga Qeveria e Shqipërisë në vitet 2020 dhe 2021, për veprimtari të mëparshme kriminale”.

Në Listën e Departamentit të Thesarit është edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski dhe ish-shefi i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit në këtë vend, Sasho Mijalkov.

Nga Bosnje e Hercegovina jan: ish-nënkryetari i Partisë për Veprim Demokratik (SDA), Asim Sarajliq dhe ish-kryeprokurorja Gordana Tadiq.

Svetozar Maroviq, ish-zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Socialistëve në Mal të Zi, është po ashtu në listën e të sanksionuarve nga Departamenti amerikan i Thesarit.

Përveç tyre, në rajonin e Ballkanit, Thesari ka sanksionuar edhe anëtarin serb të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Ky hulumtim është shkruar në kuadër të trajnimit “U.S. Anticorruption Efforts Virtual Reporting Tour (VRT), 2022”, organizuar nga Qendra e Shtypit të Departamentit amerikan të Shtetit. Redaktori i ekonomisë nga Telegrafi, Albert Spahiu ishte zgjedhur në mesin e 50 gazetarëve në botë për të qenë pjesë në këtë trajnim.