Të gjithë e idealizojnë, por askush nuk e lavdëron: Simboli i famës u shpall më i keqi në botë

Një studim ndërkombëtar e renditi këtë simbol të famës në fund të listës së atraksioneve botërore, duke rrëzuar mitin e glamurit që e shoqëron prej dekadash
Nëse ndonjëherë e keni imagjinuar Hollywood-in si një vend të glamurit të përjetshëm, shkëlqimit dhe magjisë filmike, ndoshta ka ardhur koha që kjo pamje të zbresë pak në tokë. Një nga atraksionet turistike më të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shpallur së fundmi si atraksioni turistik më i keq në botë.
Bëhet fjalë për Hollywood Walk of Fame.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë plot me hite turistike – nga rrokaqiejt e Nju Jorkut dhe lokacionet e famshme nga filmat, te parqet kombëtare spektakolare, e deri te plazhet me diell të Floridës dhe Havait. Megjithatë, sipas një studimi të ri të kompanisë turistike Stasher, pikërisht Hollywood Walk of Fame ka përfunduar në fund të listës së atraksioneve më të njohura botërore, transmeton Telegrafi.
Pse u shpall më e keqja?
Studimi ka përfshirë 101 atraksione turistike më të njohura në botë. Në vlerësim janë marrë parasysh: nota mesatare në Google, siguria e destinacionit, largësia nga aeroporti, cilësia e akomodimit lokal dhe prania në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok.
Rezultatet treguan se popullariteti nuk garanton domosdoshmërisht përvojë cilësore. Hollywood Walk of Fame mori vlerësimin mesatar më të ulët në Google, si dhe nota shumë të dobëta për sa i përket sigurisë. Si minus shtesë përmendet edhe fakti se ndodhet rreth 37 kilometra larg aeroportit Los Angeles International Airport.
Hollywood Walk of Fame shtrihet përgjatë Hollywood Boulevard dhe Vine Street, dhe përbëhet nga më shumë se 2.800 yje të vendosura në trotuar. Çdo yll u kushtohet personaliteteve që kanë lënë gjurmë në film, televizion, muzikë, radio dhe artet skenike, si edhe emrave të rëndësishëm të historisë dhe kulturës, mes tyre edhe Neil Armstrong.

Përshtypjet e turistëve, pa iluzione
Një pamje e ngjashme vërehet edhe në Tripadvisor, ku Walk of Fame ka një vlerësim mesatar 3.4 nga pesë yje dhe renditet vetëm në vendin e 64-të ndër aktivitetet turistike në Los Angeles.
Një vizitor ka shkruar se ky vend është larg glamurit që shfaqet shpesh në filma dhe televizion, dhe se e gjithë zona i është dukur e pasigurt, ndaj nuk do ta rekomandonte për vizita me fëmijë të vegjël.
Të tjerë kanë qenë më të butë në vlerësim, por pa pritshmëri të mëdha:
“Po, është paksa e vjetruar, por nëse je turist, pse jo. Është interesante të shohësh emrat e të famshmëve dhe dyqanet e suvenireve. U pa dhe u hoq nga lista.”
Ka edhe nga ata që mendojnë se Walk of Fame ia vlen të vizitohet të paktën një herë në jetë, thjesht për simbolikën dhe faktin se prej dekadash është një nga shenjat dalluese të Hollywood-it. Megjithatë, pothuajse të gjithë bien dakord për një gjë: nuk duhet pritur një përrallë filmike. Në vend të tapetit të kuq, vizitorët përballen me një lagje mesatare urbane, me turma njerëzish dhe dyqane suveniresh të shtrenjta.

Dhjetë atraksionet turistike më të këqija në botë
- Hollywood Walk of Fame, Los Angeles, SHBA
- Dead Sea
- Grand Bazaar
- Great Wall of China
- Victoria Harbour
- Museum of Old and New Art
- Stonehenge
- Disneyland Paris
- Mount Kilimanjaro
- Machu Picchu
Dhjetë atraksionet turistike më të mira në botë
- Sagrada Familia
- Colosseum
- Eiffel Tower
- Milford Sound
- Walt Disney World
- Pyramids of Giza
- Christ the Redeemer
- Smithsonian National Museum of Natural History
- Disneyland California
- Tokyo Disneyland
Popullariteti nuk garanton përvojë, dhe imazhet që shohim në filma apo rrjete sociale shpesh kanë pak lidhje me realitetin. Hollywood Walk of Fame mbetet një simbol, por gjithnjë e më shpesh, një simbol që zhgënjen ata që prisnin magji. /Telegrafi/



















































