Disa prej tyre janë ankuar edhe për kushtet e banimit, pas largimit nga shtëpitë e tyre.

Shaip Bllaca nga Obiliqi ka dy muaj që nuk ka mundur të hapë lokalin për shitje të mobilieve. Shtëpia e tij është njëra nga më të dëmtuarat nga shpërthimi i ndodhur në qershor në termocentralin “Kosova A”.


Që atëherë, Shaipi me familje po jeton në një shtëpi me qira, në kushte jo të mira të banimit. Ai ka thënë se ka në plan të kërkojë nga gjykata dëmshpërblim të merituar, në rast se raporti nga Komuna e Obiliqit nuk është i arsyeshëm.

Në komunë nuk kanë pranuar të japin detaje. Drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Burim Durguti, i ka thënë KTV-së se brenda pak ditësh do të publikohet raporti.

Zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë thënë se pavarësisht situatës së vështirë financiare që nga shpërthimi, ata janë të gatshëm t’i kryejnë të gjitha obligimet ndaj të dëmtuarve.

Burime brenda komisionit të formuar për këto dëme i kanë thënë KTV-së se vlera e mundshme e dëmeve, për të cilat KEK-u duhet të paguajë, mund të tejkalojë shumën e 35 mijë eurove. /KTV/Koha.net/