Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, të akuzuar për sulmin në kanalin e “Ibër- Lepencit” në Varagë të Zubin Potokut më 29 nëntor 2024, u deklaruan të pafajshëm në seancën fillestare, raporton KosovaPress.

Ata u deklaruan pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Bekim Kodraliu.


Të pyetur nga kryetari i trupit gjykues,Vesel Ismajli, se a ndihen fajtorë për veprat, për të cilat akuzohen, Jovan dhe Jovan Viqentijeviq thanë se nuk ndihen fajtorë: “Jo, për asnjërën”.

Edhe Igor Dimoviq u deklarua njëjtë.

“Dëshiroj të deklaroj se nuk ndihem fajtor për veprën penale, e cila më vihet barrë”, tha ai.

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, tha se të akuzuarit kanë kohë 30 ditë që të ushtrojnë kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

“Seanca e shqyrtimit fillestar me kaq përfundon. Të akuzuarit që nga sot, ju njoftoj, pasi të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë për veprat penale që akuzohen, ju keni të drejtë ligjore që nga sot të ushtroni në formë të shkruar kërkesë për hedhjen e aktakuzës, kundërshtimin e provave brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Gjykata do t’i shqyrtojë, do t’i analizojë dhe do marrë një vendim lidhur me kërkesat tuajaj”, tha Ismaili.

Por, avokati i Jovan Viqentijeviqit, Nebojsha Vllajiq, kërkoi nga trupi gjykues që të bashkohen procedurat penale ndaj klientit të tij, që po zhvillohet edhe në Gjykatën Themelore në Pejë, ku së bashku me vëllain e tij, akuzohet për vrasje.

“Lidhur me kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave ne do t’i parashtrojmë në këtë gjykatë në formë të shkruar brenda afatit, por njëkohësisht do ushtrojmë kërkesë për bashkimin e procedurës penale ndaj të mbrojturit që po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Pejës”, tha ai.

Porse, prokurori special, Bekim Kodraliu shtoi se nuk mund të ndërhyjnë në kompetencat e Gjykatës Themelore në Pejë, ngase do të pengonin hetimet ndaj të akuzuarve për vrasje.

“Ai (avokati) është profesionist dhe duhet t’i kuptojë disa çështje juridike. Procedura penale në Pejë është duke u zhvilluar, është procedurë nën hetim dhe nuk ka mundësi ligjore që e njëjta lëndë të bashkohet me lëndën që është vetëm duke u zhvilluar. Ne nuk mund të ndërhyjmë në kompetenca të Gjykatës Themelore në Pejë, ngase do të pengonim hetimin në Pejë”, tha ai.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër- Lepencit”, infrastrukturë publike, e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

Në aktakuzën, të cilën e ka ngritur prokurori special Bekim Kodraliu, thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshjeje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- “Ibër- Lepencit| i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë.

Kurse, në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri me arrestimin e tyre, në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin Potok, dhe tjetra në fshatin Prevllak, të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga ana e Policisë së Kosovës, u janë gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.

Në pikën 3 të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Jovan Viqentijeviq nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 1 dhjetor 2024, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

Këto informata, sipas aktakuzës, ka pasur për qëllim t’ua komunikojë Shërbimit informativ Ushtarak të Serbisë, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj. Këto informacione dhe dokumente, thuhet se i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për shtetin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, Viqentijeviq përmes një dokumenti të modifikuar, ka tentuar ta paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare“, duke e shoqëruar me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa, Igor Dimoviq, në pikën 4 të aktakuzës, akuzohet se nga data e pacaktuar deri më 30 nëntor 2024, rreth orës 6:30 në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me konkretisht në shtëpinë e tij, me rastin e kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, i janë gjetur në posedim tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa unifiroma ushtarake, të cilat janë sekuestruar nga Policia në vendin e ngjarjes. /KP/