Futbolli është një gjuhë universale që lidh kultura dhe njerëz nga e gjithë bota. Një nga ata që ka përqafuar këtë udhëtim është Agustin Rojas, mesfushori argjentinas që ka zgjedhur të vazhdojë karrierën e tij në Kosovë, te Prishtina e Re.

Por si është për një futbollist nga Amerika e Jugut të përshtatet me një realitet krejt ndryshe? Çfarë e shtyu të vijë këtu dhe si po e përjeton ai këtë eksperiencë? Në një intervistë për Telegrafin, Rojas na rrëfen gjithçka – nga mënyra se si erdhi në Kosovë, deri tek sfidat këtu dhe ambiciet e tij me klubin.


Në pyetjen se si përfundoi në Kosovë tek Prishtina e Re, Rojas tha se kjo u bë e mundur përmes lidhjeve që kishte agjenti i tij me një partner të tij nga Kosova.

“Unë erdha këtu përmes një partneri kosovar të agjentit tim, i cili kujdeset për gjërat e mia. Më rrëmbeu menjëherë qyteti i bukur dhe kultura këtu, po e shijoj jashtëzakonisht shumë, sidomos netët me borë”, ka thënë Rojas fillimisht.

Argjentinasi deri në këtë pikë të sezonit ka kontribuar me katër gola dhe gjashtë asistime në të gjitha garat për Prishtinën e Re, andaj ai deklaroi që synimi i tij është ta vazhdojë këtë formë.

“Qëllimi im individualisht këtë sezon është të vazhdojë të shënojë gola dhe të bëjë asistime sa më shumë që mundem për të ndihmuar skuadrën”.

“Natyrisht, ëndrra jonë është që të sigurojmë promovimin në Superligën e Kosovës dhe shpresojë ta arrijmë këtë sepse ky klub më ka ofruar mua gjithçka dhe jam tejet mirënjohës ndaj njerëzve të cilët punojnë tek Prishtina e Re”, deklaroi ai.

Si çdo futbollist i ri në botë, edhe Rojas ëndërron që një ditë të bëjë hapin e madh në karrierë dhe të luajë në ndonjërën nga top pesë ligat më të mira evropiane.

“Nuk kam asnjë dyshim që do ta fitojmë kampionatin dhe do të doja të luaja fillimisht në Superligë me Prishtinën e Re dhe pastaj të vazhdojë të ngjitem majave”.

“Qysh si një fëmijë kam ëndërruar të bëhem një lojtar i famshëm dhe të luajë në ndonjë klub të madh në Evropë, por e rëndësishmja është që kudo që të shkojë unë do të jap maksimumin tim. Të jem sot këtu është një privilegj i madh”, u shpreh 25-vjeçari.

Rojas tha gjithashtu se po praktikon gjuhën angleze çdo ditë, në mënyrë që ta ketë më të lehtë komunikimin me bashkëlojtarët dhe tifozët.

“Fillimisht kur erdha këtu e kisha të vështirë të adaptohesha sepse nuk e dija mirë gjuhën angleze, por unë po e praktikoj atë  çdo ditë në mënyrë që ta kem më të lehtë komunikimin me të tjerët”.

Për fund ai pati një këshillë për të gjithë lojtarët e tjerë të huajë të cilët kanë dëshirë të luajnë në Kosovë.

“U them atyre që para se të vijnë të mësojnë gjuhën angleze sepse është shumë e rëndësishme këtu dhe se njerëzit janë tejet miqësorë dhe unë jam shumë i lumtur që jam këtu në Kosovë dhe tek ky klub”, përfundoi Rojas./Telegrafi/

telegrafi sport app