LAJMI I FUNDIT:

Takimi i së martës në Bruksel për dinarin – deklaratat dhe pritjet?

Takimi i së martës në Bruksel për dinarin – deklaratat dhe pritjet?

Sot në Bruksel do të zhvillohet takimi i radhës ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq ndër temat që do të diskutohet do të jetë çështja e dinarit.

Bashkimi Evropian tashmë ka konfirmuar takimin e radhës Kosovë-Serbi, ndërkaq pjesëmarrja në takim është konfirmuar edhe nga kryenegociatori, Besnik Bislimi.


Lidhur me ndalimin e dinarit serb të hënën ka folur edhe presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se është domosdoshmëri që të arrihet një pajtim sa i përket zbatimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, me të cilën ndalohet qarkullimi i dinarit.

Osmani para mediave ka thënë se për një pjesë të propozimit të emisarit amerikan Gabriel Escobar ka pajtueshmëri, transmeton Telegrafi.

“Deri tani pajtim për një pjesë të propozimit, nga ajo që jam informuar deri tani, dhe nuk ka pajtim për një pjesë tjetër të propozimit”, tha ajo.

Presidentja deklaroi se është shumë pozitive që ndërkombëtarët pajtohen të ketë ndalim të qarkullim të dinarit në Kosovë.

Takimi i kryenegociatorëve për çështjen e dinarit në Bruksel, Osmani: E domosdoshme të arrihet pajtim
Lexo po ashtu Takimi i kryenegociatorëve për çështjen e dinarit në Bruksel, Osmani: E domosdoshme të arrihet pajtim

“Është shumë pozitive që ndërkombëtarët në krye me SHBA-në pajtohen qe mos të ketë qarkullim të dinarit në Kosovë, dhe me ndihem e tyre kemi arritur që dërgesat dhe ndihmat financiare që arrijnë nga Serbia të bëhen në euro dhe jo me dinar dhe kjo e zgjidh një pjesë të madhe të problemit”, tha mes tjerash ajo.

Ajo gjithashtu theksoi se pjesa më sfiduese është që të sigurohet që ndihma financiare që vjen nga Serbia të mos shkon në duart e atyre që kanë abuzuar e që janë të korruptuar.

“Pjesa e dytë për të cilën nuk ka pajtim është se si duhet siguruar që çdo ndihmë financiare që vjen nga Serbia mos të shkoj në duart e atyre personave që kanë abuzuar, që janë korruptuar, dhe që kanë marrë paratë në emër të qytetarëve dhe kanë shfrytëzuar paratë për krim, e korrupsion… Për këtë pjesë po hartohet një plan”.

“Përkundër sfidave unë jam e bindur që jo vetëm do të arrihet pajtim dhe është e domosdoshme, por do të ishte mirë të arrihej në Bruksel”, tha ndër tjera presidentja.

Por, diskutimi i rregullores së BQK-së në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, po kundërshtohet nga partitë opozitare në vend.

Faton Abdullahu nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se partia e cila tashmë është në pushtet, deri dje kanë gjykuar ata që kanë biseduar me Vuçiqin.

“Asgjë e re nga kjo mendësi politike, popullizëm gjithandej, taktizime me simbolika patetike e regresive, pa strategji largpamëse progresive. Kjo mendësi dje opozitare, ka hedh gur e dru, ka vërë zjarr dhe shpall tradhtarë të gjithë ata që janë gjykuar të ulen e të bisedojnë me Vuçiqin”, është shprehur Abdullahu për Telegrafin.

Ai deklaroi se çështja e dinarit është vetëm një segment i vogël, siç e quajti ai “adoleshencë neverike politike”.

Pjesëmarrja e Bislimit në takimin e Brukselit, PDK: Çështja e dinarit është vetëm një segment i vogël i kësaj adoleshence politike
Lexo po ashtu Pjesëmarrja e Bislimit në takimin e Brukselit, PDK: Çështja e dinarit është vetëm një segment i vogël i kësaj adoleshence politike

“Sot të njëjtit, tash në pushtet me kollare, jo vetëm që ulen me Vuçiqin, por flasin për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë e nuk flasin për njohjen e Kosovës shtet. Çështja e dinarit është vetëm një segment i vogël i kësaj adoleshence nevrike politike, e cila në mungesë të maturimit politik na ka degraduar deri aty sa tash sa kohë jemi nën sanksione nga ata me të cilët kemi bërë rrugëtimin më të suksesshëm në historinë tonë”, pohoi ai.

Ndërkaq, të hënën lidhur me dialogun Kosovë-Serbi është deklaruar përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Ai ka folur sërish për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në Ohër një vit më parë.

Borrell është shprehur se do të vazhdojnë me presionin ndaj të dyja palëve që kjo marrëveshje të zbatohet.

Ai këto deklarata i bëri në prag të nisjes së takimit ministror të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së.

“Sot është përvjetori i parë i Marrëveshjes së Ohrit. Koha po fluturon dhe tashmë është bërë një vit prej kur kishim arritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ato të lëviznin përpara drejt normalizimit, për fat të keq, përkundër mbështetjes së gjerë ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, Serbia dhe Kosova kanë arritur shumë pak progres”, ka thënë Borrell. /Telegrafi/