Presidentja e vendit, Vjosa Osmani të premten takoi liderët e partive parlamentare, në një takim që zgjati rreth 2 orë.

Në takim mori pjesë lideri i LVV-së, Albin Kurti, ai i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i AAK-së, Ramush Haradinaj, etj.


Pas përfundimit të takimit, e para e shtetit mbajti një konferencë për media.

Ajo bëri të ditur se gjatë takimit janë diskutuar disa çështje, transmeton Telegrafi.

“Diskutuam në qoftë së dikush nga partitë politike që ishin të ulura rreth asaj tavoline, e kanë shumicën për të krijuar Qeveri apo jo. Besoj i keni dëgjuar liderët politikë rreth qëndrimit të tyre, disa kishin qëndrime se nuk mund të krijohet shumica, disa kishin qëndrime se mund të takohemi sërish. Ne kemi 10 ditë nëse mandatohet mandatari i dytë, ky afat skadon më 5 nëntor. Deri në atë datë do të komunikojë me kryetarët e partive politike”, theksoi ajo.

Presidentja e vendit tha se sa i përket mandatarit të parë është e qartë se i takon vetëm partisë së parë që ka dalë në zgjedhje, ndërkaq nuk ka kufizim se cila parti mund të propozojë mandatarin e dytë.

Sipas saj, Kushtetuta mandatarin e dytë e lejon në diskrecion të presidentes, të vendos se kujt do t’ia jap.

Osmani u shpreh se thuhet edhe në kushtetutë edhe në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese se fjala është mandatar tjetër, mirëpo siç tha ajo “nuk mund të paragjykoj me çfarë propozimi do të vijë LVV dhe a do të vijë me propozim apo jo”.

“...Sepse sot thjesht u kërkua kohë për një takim tjetër të radhës që gjithsesi është brenda afateve kushtetuese sepse për këtë konsultim kemi kohë deri më 5 nëntor”, u shpreh presidentja.

Ajo theksoi se në pjesën e parë të javës që vjen dihet nëse do të ketë propozim të ri, por sipas saj duhet të ezaurohen të gjitha mundësitë para zgjedhjeve.

Presidentja po ashtu tha se kanë biseduar edhe për buxhetin e vitit 2026, por që nuk ka pasur pajtueshmëri nga shumica e përfaqësuesve politike.

Ajo tha se kanë shikuar për mundësitë tjera për buxhetin, në mënyrë që vendi të mos mbetet pa buxhet.

Por, çka deklaruan Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj?

Pas takimit me presidenten Osmani, janë prononcuar edhe lideri i PDK-së, LDK-së dhe ai i AAK-së, ndërsa lideri i Lëvizjes, Albin Kurti pas takimit me Osmanin nuk u prononcua për media.

Ai duke dalë nga ndërtesa e Kuvendit tha shkurt “Kushtetuta dhe ligjet janë të qarta”.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një paraqitje para gazetarëve tha se askush nuk mund ta formojë shumicën parlamentare.

“Nga ky takim u bë e qartë se askush nuk mund ta formojë shumicën parlamentare, bazuar në legjislaturën aktuale”, tha Krasniqi, raporton Telegrafi.

“Kjo situatë nuk duhet të shtyhet, pasi kemi miratimin e buxhetit, miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, specifikisht siç është plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor”, tha tutje ai.

Ndërkaq, edhe i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se shumica e partive janë shprehur se nuk mund të formojnë shumicë parlamentare.

Ai theksoi pas takimit se tani i takon presidentes deri të mërkurën më 5 nëntor të përcaktojë se a ka ndonjë parti shumicë parlamentare apo nuk ka.

“...Tani kërkohet një fazë kalimtare për krizë por është e pamundur, sa më parë që organizohen zgjedhjet i shmangim krizat... Në këtë takim u bë e qartë nga përfaqësuesit e partive se nuk ka shumicë parlamentare... Rrjedhimisht tani i takon presidentes deri të mërkurën më 5 nëntor të përcaktojë se a ka shumicë a nuk ka shumicë. Pati pretendime nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje se ndoshta duhet provuar edhe njëherë, por shumica e partive politike ishin të qartë se nuk ka shumicë”, tha ai.

I ngjashëm ishte edhe qëndrimi i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se më 5 nëntor pritet që të kumtohet data për zgjedhje të jashtëzakonshme Parlamentare, derisa shpreson që më 7 dhjetor qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit.

“Në takimin e sotëm, Presidentja kërkoi na ne që të kemi shumicën parlamentare dhe kërkoi nga ne që të gjejmë zgjidhje të përkohshme për çështjen e buxhetit dhe në realitetin e tashmë që kemi në vend, po ndodhin Zgjedhjet Parlamentare”, tha Haradinaj, raporton Telegrafi.

“Deputeti (Albin Kurti) që kishte shumicën parlamentare nuk arriti të formonte qeverinë dhe kërkoi disa ditë shtesë, por nuk është kërkesë serioze”. /Telegrafi/