Takimi me Ali Pashën në Tepelenë

Nga: John Cam Hobhouse (1809), pjesë nga vepra A Journey through Albania and Other Provinces of Turkey in Europe and Asia to Constantinople during the Years 1809 and 1810, botuar në Londër më 1813, ribotuar në Nju-Jork më 1971 si A Journey through Albania (fq. 101-113.)
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Rreth mesditës, më 12 tetor, një oficer i pallatit me një shkop të bardhë në dorë na njoftoi se duhej të paraqiteshim para Vezirit dhe, kështu, dolëm nga dhoma jonë të shoqëruar nga dragomani ynë dhe Sekretari i cili kishte veshur mantelin e tij më të vjetër për të përcjell zotërinë e vet, që të mos dukej shumë i pasur dhe të mos bëhej objekt i përshtatshëm për zhvatje.
Oficeri na udhëhiqte përgjatë një galerie, tani të mbushur me ushtarë, drejt krahut tjetër të ndërtesës dhe - duke kaluar mbi disa rrënoja ku një dhomë ishte shembur, si dhe nëpër disa dhoma të lëna pas dore - na futi në dhomën ku ndodhej vetë Aliu. Ai ishte në këmbë kur hymë; gjë që u mendua si nderim, sepse një turk me rëndësi nuk çohet kurrë për të pritur dikë, përveç atyre që janë mbi të dhe, nëse dëshiron të tregojë përulësi, ai përpiqet të rrijë në këmbë. Teksa shkonim drejt tij, ai u ul dhe na ftoi të uleshim pranë tij. Ai ndodhej në një dhomë të madhe, shumë bukur e mobiluar, me një cisternë mermeri dhe një shatërvan në mes të zbukuruar me pllaka të pikturuara, të ngjashme me ato që ne i quajmë pllaka holandeze.
Veziri ishte burrë i shkurtër, rreth pesë këmbë e pesë inç i gjatë [1.65 metra], dhe shumë i shëndoshë, megjithatë jo veçanërisht i bëshëm. Kishte një fytyrë shumë të këndshme, të bardhë dhe të rrumbullakët, me sy të kaltër të mprehtë, që nuk kishin asgjë nga rëndesa turke. Mjekra e tij ishte e gjatë dhe e bardhë, e tillë që çdo turk tjetër do të ishte krenar ta kishte; ndonëse ai, i cili ishte më i përqendruar te të ftuarit sesa te vetja, nuk vazhdonte ta sodiste apo ta përkëdhelte siç është zakon ndër bashkatdhetarët e tij, për të mbushur boshllëqet e bisedës. Nuk ishte i veshur me shumë madhështi, përveçse çallmës së gjatë, të përbërë nga shumë palë të vogla, që dukej se ishte prej një byrynxhyku të artë të hollë, dhe jataganit të tij, apo thikës së gjatë të zbukuruar me gurë të çmuar.
Ai ishte tepër i sjellshëm; dhe tha se na konsideronte si fëmijët e vet. Na tregoi një hovicer malor që ndodhej në dhomën e tij, dhe përfitoi nga rasti për të na thënë se kishte disa topa të mëdhenj. U kthye dy a tri herë për të parë përmes një teleskopi anglez dhe më pas na e dha që të shikonim një grup turqish me kalë duke ecur përgjatë brigjeve të lumit, drejt Tepelenës. Pastaj tha: “Ai njeriu që po shihni në rrugë është ministri kryesor i armikut tim, Ibrahim Pashës, dhe tani po vjen tek unë, pasi ka braktisur zotërinë e vet për t’iu bashkuar palës më të fortë”. Këtë ia tha me buzëqeshje Sekretarit, duke i kërkuar ta përkthente për ne.
Pimë duhan me llullë, kafe dhe ëmbëlsira me të; por ai nuk dukej aq i dhënë për këto gjëra sa turqit e tjerë që kemi parë. Ishte në një humor të shkëlqyer dhe disa herë qeshi me zë të lartë, një gjë tepër e pazakontë për një njeri me rëndësi. Nuk kam parë rast tjetër të tillë në Turqi. Në vend që dhoma e tij të ishte e mbushur me oficerë të oborrit, siç është zakon ndër pashallarët dhe njerëzit e mëdhenj, ai ishte krejt i pashoqëruar, përveç katër ose pesë të rinjve të veshur madhërisht me kostumin shqiptar, me flokët që u vareshin deri në mes të shpinës. Këta sillnin pije freskuese dhe na furnizonin vazhdimisht me llullën e cila, edhe pse ndoshta nuk ishte as gjysmë e pirë, ndërrohej tri herë - siç është zakon kur i bëhet mysafirit një nderim i veçantë.
Nuk ka tema të zakonshme bisede mes një Veziri turk dhe një udhëtari, që të mund të nxjerrin në pah aftësitë e cilitdo prej tyre, veçanërisht sepse këto biseda janë gjithmonë në formën e pyetjeve dhe përgjigjeve. Megjithatë, një evropian mund të mendojë se turku i tij është mbi mesataren, nëse nikoqiri nuk i bën ndonjë pyetje shumë të marrë, dhe Aliu nuk na bëri asnjë pyetje që të tregonte injorancën e vet. Gjallëria dhe lehtësia e tij në të folur na lanë përshtypje shumë të mira për aftësitë e tij të natyrshme.
Në mbrëmjen e ditës tjetër i bëmë një vizitë tjetër Vezirit, në një dhomë me mobile më të hijshme se ajo me shatërvan. Ndërkohë që ishim me të, hyri një lajmëtar nga Berati, vendin të cilin ushtria e Aliut (rreth pesë mijë burra) ishte duke e rrethuar në atë kohë. Nuk e kuptuam përmbajtjen e letrës që u lexua me zë të lartë, derisa në dhomë u soll një pushkë e gjatë, e ngjashme me një pushkë për rosat; dhe, atëherë, kur njëri nga ne e pyeti Sekretarin nëse kishte shumë shpendë të egër në rrethinë, ai u përgjigj: Po, por pushka ishte për t’u dërguar në rrethimin e Beratit, sepse kishte mungesë artilerie në ushtrinë e Vezirit. Ishte e pamundur të mos buzëqeshje me këtë luftë në miniaturë.
Gjatë kësaj bisede, Aliu na uroi për lajmin që kishte mbërritur dy javë më parë, për dorëzimin e Zakintos, Qefalonisë, Itakës dhe Qerirës, te skuadra britanike detare; ai tha se ishte i lumtur që kishte anglezët për fqinj, se ishte i sigurt që ata nuk do ta trajtonin siç kishin bërë rusët dhe francezët, duke mbrojtur hajdutët e tij të arratisur; se ai kishte qenë gjithmonë mik i kombit tonë, edhe gjatë luftës sonë me Turqinë, dhe se kishte ndihmuar në arritjen e paqes.
Na pyeti se çfarë na kishte shtyrë të udhëtonim në Shqipëri? Ne i thamë se ishte dëshira për të parë një burrë kaq të madh si ai vetë. “Ah”, u përgjigj ai, “a keni dëgjuar ndonjëherë për mua në Angli”? Ne, natyrisht, e siguruam se ai ishte temë shumë e përfolur në vendin tonë; dhe ai nuk dukej aspak shpërfillës ndaj kësaj lajke.
Na tregoi disa pistoleta dhe një shpatë; pastaj zbriti një pushkë që ishte e varur mbi kokën e tij në një çantë, ndërsa na tha se ishte një dhuratë nga Mbreti i Francës. Ishte një pushkë e shkurtër, me mbajtëse të zbukuruar me argjend dhe të mbushur me diamante e gurë të çmuar, që dukej si një dhuratë e bukur mbretërore; por, Sekretari na informoi se kur pushka kishte ardhur nga Napoleoni, kishte vetëm një mbajtëse të zakonshme, dhe se të gjitha zbukurimet ishin shtuar më vonë nga vetë Lartmadhëria e tij për ta bërë që të dukej tamam si një dhuratë mbretërore.
Para se të largoheshim, Veziri na informoi se në afërsi të Tepelenës kishte disa mbetje antike - një palaeo-kastro, siç quhen të gjitha muret apo gurët e gdhendur të vjetër në Shqipëri dhe Greqi - dhe tha se do të siguronte disa kuaj për të na çuar atje mëngjesin tjetër.
Sipas këshillës së tij, shkuam të dielën për të parë këto rrënoja, të cilat ishin shumë të pakta - vetëm disa copa muri që, sipas mendimit tim, nuk ishin antike - në një kodër rreth pesë milje në Verilindje të Tepelenës.
Në mbrëmjen e së njëjtës ditë, i bëmë vizitën tonë të fundit Lartmadhërisë së Tij. Ai na pyeti nga cila rrugë kishim ndërmend të shkonim, dhe i thamë se dëshironim të shkonim nga Janina drejt Moresë. Ai dukej i njohur me çdo rrugë, çdo etapë dhe gjendjen e vendit në mënyrë shumë të detajuar. Tha se nuk mund të shkonim nga rruga e zakonshme përmes Tërhallës, pasi ajo pjesë ishte e mbushur me banda të mëdha hajdutësh; porse mund të shkonim nga Karnia, duke kaluar gjirin e Artës në Salorë, ose duke shkuar deri në fund të gjirit; dhe se, për shkak se edhe ajo zonë ishte e pasigurt, do të na jepte urdhra për postat e tij ushtarake që të merrnim aq roje sa do të duheshin. Në rast se nuk do të dëshironim të shkonim nga Karnia, ai na pajisi me një urdhër për guvernatorin e tij në Prevezë, për të na dërguar me një anije të armatosur në Patra. Na dha gjithashtu një letër për djalin e tij, Velinë, Pashën e Moresë, dhe donte të dinte nëse mund të bënte ndonjë gjë tjetër për të na ndihmuar.
Ne vetëm kërkuam leje për të marrë me vete shqiptarin tonë, Vasilin, që të na shoqëronte gjatë qëndrimit në Turqi, dhe ai e miratoi me kënaqësi, duke pyetur se ku ndodhej. Kur u informua se ishte te dera e dhomës, dërgoi për ta thirrur, dhe kështu Vasili hyri; dhe, edhe pse me gjithë respektin e duhur, ai nuk u ndie në siklet, por me dorën mbi gjoksin e majtë u përgjigj në mënyrë të vendosur dhe të rrjedhshme ndaj pyetjeve të Vezirit. Aliu e thirri me emër dhe e pyeti pse, duke qenë te dera, nuk kishte hyrë për ta parë. “Se, ti e di, Vasil”, shtoi ai, “do të më bëhej qejfi të të shihja”! Pastaj i tha se do të na shoqëronte dhe të kujdesej që të mos na mungonte asgjë, dhe foli gjatë me të për etapat e rrugës sonë, duke e përmbyllur në mënyrë shpotitëse se nëse ndodhte ndonjë fatkeqësi me ne, ai do t’ia priste kokën; dhe se ne duhej të shkruanim për të treguar si ishte sjellë ai. Pak më vonë, pasi u morëm vesh që t’i dërgonim një përshkrim të udhëtimit tonë me letër, u larguam dhe i dhamë lamtumirën këtij njeriu të jashtëzakonshëm për të cilin, ndoshta, është momenti të jap një përshkrim të shkurtër.
Aliu lindi në Tepelenë, rreth vitit 1750; tashmë është mbi gjashtëdhjetë vjeç, edhe pse e fsheh me kujdes moshën; dhe, pavarësisht një sëmundjeje që e konsideron të pashërueshme, ende ruan pamjen e një burri të shëndetshëm të moshës së mesme. I ati i tij ishte Pasha me dy bishta, por pa ndonjë rëndësi të madhe. Princi më i fuqishëm në atë kohë ishte njëfarë Ku’ Pasha, Vezir dhe sundimtar i një pjese të madhe të Shqipërisë. Pas vdekjes së të atit, Aliu nuk trashëgoi gjë tjetër përveç shtëpisë së tij në Tepelenë; dhe, është e përhapur në Shqipëri, madje vetë Veziri mburret me këtë, që ai filloi fatin e tij me gjashtëdhjetë pare dhe me një pushkë. Shërbyesi ynë, Vasili, (dëshminë e të cilit nuk do ta përmendja, po të mos ishte e përforcuar nga gjithçka që dëgjova në vend), më siguroi se e kujton kur ishte djalosh të ketë parë Aliun (atëherë Ali-Bej) në kasollen e të atit, me xhaketë të grisur në bërryla; dhe, se, në atë kohë, ky njeri vinte natën me grupe nga Tepelena dhe u merrte tufat e bagëtive fshatrave që ishin në armiqësi me të.
Me kalimin e kohës, ai arriti të bëhej zot i një fshati, pastaj i një tjetri dhe, duke grumbulluar para, e rriti fuqinë e vet derisa e gjeti veten në krye të një numri të konsiderueshëm shqiptarësh të cilët i paguante me plaçkë lufte; sepse, atëherë, ai nuk ishte asgjë tjetër veçse një hajdut i madh, ose një nga ata grabitqarët e pavarur e të shumtë në përmasat e pafundme të Perandorisë turke. Megjithatë, ai nuk e vazhdoi këtë rrugë pa vështirësi e pengesa të mëdha, siç do ta mendoni kur të dëgjoni çfarë më tha për të po ai Vasili; sepse, kur i thashë këtij burri se Veziri dukej se e njihte mirë, ai u përgjigj: “Po, duhet të më njohë mirë; sepse unë kam zbritur me burrat e fshatit tonë dhe ia kemi thyer dritaret me plumba, kur ai nuk guxonte të dilte nga Tepelena”. - “Mirë”, iu shtrua pyetja, “po çfarë bëri Aliu me burrat e fshatit tuaj”? “Asgjë fare; u bë mik me kryeplakun tonë, e bindi të vinte në Tepelenë, dhe aty e poqi në hell; pas kësaj, u nënshtruam”.
Aliu më në fund mblodhi mjaftueshëm para për të blerë një pashallëk (jo atë të Janinës, por një më pak të rëndësishëm), dhe kur u bë me atë titull, u bë edhe më i etur për të zgjeruar zotërimet e veta; vazhdoi një luftë të pandërprerë me pashallarët fqinj dhe më në fund e mori Janinën, për të cilën u konfirmua si Pasha nga një ferman perandorak. Më pas shpalli luftë kundër pashallarëve të Artës, të Delvinës dhe të Ohrit, të cilët i nënshtroi një nga një, së bashku me atë të Tërhallës, dhe vendosi një ndikim shumë të madh mbi agallarët e Thesalisë. Seferin, pashën e Vlorës e helmoi me një filxhan kafeje, në një hamam në Sofje; dhe, e forcoi veten duke martuar dy djemtë e tij, Muhtarin dhe Velinë, me vajzat e Ibrahimit, pasardhësin dhe vëllain Seferit; që nga ajo kohë ai ka luftuar edhe vetë kundër Ibrahimit, duke ia shkurtuar zotërimet dhe duke i shtuar territor Janinës.
Gjatë kësaj ngjitjeje në fuqi, ai është thirrur më shumë se një herë për të dërguar pjesën e tij të trupave për ushtritë perandorake, dhe ka marrë vetë pjesë në luftë kundër gjermanëve dhe rusëve; por, i njihte mirë bashkëvendësit e vet dhe nuk kishte kurrë besim të shkonte në oborrin perandorak. Nuk pranoi asnjë post të lartë dhe gjithmonë gjente ndonjë justifikim për të shmangur paraqitjen personale para Vezirit të Madh i cili, siç dihet, kishte marrë shumë herë urdhra për ta arrestuar. Tregohen histori për zgjuarsinë dhe guximin me të cilat ai i ka penguar disa përpjekje për t’i prerë kokën - një dhuratë që do të kishte qenë shumë e mirëpritur për Portën që nga fillimi i karrierës së tij; sidoqoftë, ai luftoi kundër Pasvanoglusë, nën flamurin e Sulltanit, dhe, kur u kthye nga Vidini në vitin 1798, u bë Pasha me tre bishta, ose Vezir. Ka pasur disa herë oferta për t’u bërë Vezir i Madh.
Më pas arriti të siguronte pashallëqe për të dy djemtë e tij; më i riu, Veliu, i cili ngjan me të atin në aftësi dhe ambicie, kurseu para mjaftueshëm që në detyrën e tij të parë të blejë Pashallëkun e Moresë, me titullin e Vezirit, për tre mijë qese prej pesëqind groshësh secila. Djali i madh, Muhtari, me një natyrë më luftarake, por më pak ambicioz se vëllai, së fundmi ka zëvendësuar të atin në krye të shqiptarëve që i janë bashkuar ushtrive të Portës; dhe është dalluar shumë, siç duhet ta keni dëgjuar, në luftën aktuale me Rusinë.
Vështirësitë që Aliu duhej të kapërcente për të vendosur pushtetin e tij nuk buronin aq shumë nga kundërshtimi i pashallarëve fqinj, sa nga natyra e popullit dhe e vendit zotërues i të cilit ishte i përcaktuar të bëhej. Shumë prej zonave të cilat sot përbëjnë zotërimet e tij, ishin të banuara nga njerëz që kishin qenë gjithnjë në rebelim, ose kurrë nuk ishin nënshtruar plotësisht nga turqit; si për shembull himariotët, suliotët dhe popullsitë që jetonin në malet pranë bregdetit të Detit Jon. Përveç kësaj, pyjet dhe kodrat në çdo pjesë të sundimit të tij ishin, në njëfarë mënyre, në duart e bandave të mëdha të hajdutëve, të cilët furnizoheshin dhe mbroheshin nga fshatrat; ata vendosnin taksa në territore të tëra, digjnin dhe plaçkitnin zonat që ndodheshin nën mbrojtjen e Pashës. Kundër këtyre, ai ndërmori masa me ashpërsinë më të madhe; ata u dogjën, u varën, u prenë dhe u ngulën në hu, dhe janë zhdukur nga shumë vende, veçanërisht nga Shqipëria e Sipërme, e cila më parë ishte nën kontrollin e këtyre të jashtëligjshmëve.
Disa muaj para mbërritjes sonë në vend, një grup i madh që përhapej në malet mes Janinës dhe Tërhallës u mposht dhe u shpërnda nga Muhtar Pasha, i cili menjëherë preu copë-copë njëqind prej tyre. Këta hajdutë kishin pasur si udhëheqës një prift grek i cili, pas humbjes së njerëzve të tij, shkoi në Kostandinopojë, siguroi një ferman mbrojtjeje dhe u kthye në Janinë ku veziri e ftoi për një takim dhe e arrestoi sapo ky po largohej nga dhoma. U mbajt në burg - dhe u trajtua mirë - derisa një lajmëtar të shkonte e të kthehej nga Porta me një leje që Aliu të bënte çfarë të dëshironte me të burgosurin. Ishte krahu i këtij njeriu që ne pamë të varur në një degë peme kur hymë në Janinë.
Me masa të tilla të vrullshme, Veziri ka bërë tamam të qasshme shumë pjesë të Shqipërisë dhe të vendit përreth, të cilat më parë përmbyteshin çdo vit nga hajdutët; dhe, duke e hapur vendin për tregtarët, duke mbrojtur jetën dhe mallrat e tyre, ai jo vetëm që ka shtuar të ardhurat e veta, por edhe ka përmirësuar gjendjen e nënshtetasve të vet. Ka ndërtuar ura mbi lumenj, shtigje mbi këneta, ka hapur rrugë të shumta, ka zbukuruar vendin dhe qytetin me ndërtesa të reja, dhe me shumë rregullime të dobishme ka vepruar si një Princ i mirë dhe i madh - ndoshta pa asnjë motiv tjetër përveç lartësimit të vetvetes.
Ndikimi i Aliut shtrihet shumë përtej kufijve të zotërimeve të tij, dhe ai ndihet dhe ia kanë frikën në tërë Turqinë evropiane. Megjithatë, është shumë e vështirë të përcaktohen kufijtë e saktë të zotërimeve të tij të tanishme; sepse, brenda territorit të tij gjenden ndonjëherë ca zona të izoluara që ende bëjnë rezistencë ndaj forcave të tij; dhe, përpjekjet e tij kundër pashallarëve fqinj nuk janë gjithmonë të suksesshme. Dy muaj pas vizitës sonë në Tepelenë, ai mori në dorëzim Beratin; por, miku im më ka shkruar nga Athina se Pasha i Shkodrës e ka rimarrë qytetin dhe ka rikthyer Ibrahim Pashën në pushtet. Por, Aliu mund të dalë sërish fitimtar; dhe, nëse jeton gjatë, nuk dyshoj se do të bëhet zot i pothuajse gjithë Shqipërisë.
Aktualisht, zotërimet e tij shtrihen (duke e marrë Janinën si qendër) në njëqind e njëzet milje në Veri [193.1 kilometra], deri në Pashallëkun e Ohrit; në Verilindje dhe Lindje përfshijnë Thesalinë dhe arrijnë deri te këmbët e Malit Olimp; në Juglindje kufizohet me rrethin e vogël të Tebës dhe një pjesë të territorit të lidhur me Negropontin; por, nga kjo anë përfshin qytetin e populluar të Livadhisë dhe rrethin e tij, dhe pritet së shpejti të përfshijë edhe Atikën, dhe më pas vendet e përmendura më sipër. Në Jug komandon deri në Gjirin e Lepantit, dhe Morea i përket djemve të tij. Deti Jon dhe gjiri i Venedikut janë kufijtë e tij në Jugperëndim dhe Perëndim, dhe në Verilindje Pashallëku i Shkodrës dhe brigjet e Drinit; por, nga kjo anë ndërhyn Pashallëku i Vlorës. Parga, në bregun përballë Korfuzit, i përket francezëve, dhe himariotët vështirë të thuhet se varen plotësisht nga autoriteti i tij.
Në të gjithë vendin e rrethuar nga këta kufij, fermani perandorak gëzon pak respekt; ndërsa, një letër me firmën e Aliut (nga e cila, si një kuriozitet, po të dërgoj një faksimile), urdhëron bindje të pakufishme. Veziri është tani zot absolut, siç më tha një grek nga Janina, i pesëdhjetë krahinave të vogla; dhe, nëse projektet e tij për zgjerim do të kenë sukses, vendet që dikur përbënin pjesën jugore të Ilirisë, mbretërinë e Epirit, një pjesë të Maqedonisë, tërë Thesalinë, Eubeanë dhe të gjitha shtetet greke, do të jenë nën sundimin e një barbari që nuk di as të shkruajë as të lexojë. Tirania e tij është e plotë; megjithëse forma e nënshtetësisë ndaj Portës ende ruhet, dhe ai furnizon pjesën e tij të trupave për ushtritë osmane dhe paguan, përveç kësaj, një pjesë të caktuar të taksës ndaj Sulltanit të Madh.
Ndërsa përparon drejt Veriperëndimit, ai do të zotërojë kufirin drejt Dalmacisë, të cilin synimet e francezëve duhet ta bëjnë një pikë shumë të rëndësishme ushtarake. Pretendohet me siguri se Napoleoni i ka ofruar atij që ta bëjë Mbret të Shqipërisë dhe të mbështesë pavarësinë e tij kundër Portës; por, nëse kjo është e vërtetë, ai ka treguar mençuri duke refuzuar një kurorë që do të ishte më tepër shenjë skllavërie sesa pushteti; dhe, kohët e fundit Perandori ka folur për një lëvizje të rrufeshme mbi Shqipërinë nga provincat e tij ilirike.
Se çfarë rezistence reale mund t’i bëjë Aliu një armiku të tillë, nuk është e lehtë të parashikohet; me gjithë fuqinë e tij, rrallë ka mbajtur në pagesë më shumë se tetë mijë ushtarë në të njëjtën kohë; por, duke qenë se çdo shqiptar di të përdorë armën dhe shpatën, dhe se paragjykimet fetare apo të tjera mund të bëjnë që gjithë popullsia të ngrihet në armë nën një udhëheqës kaq me fat, kalimi i maleve mund të bëhet i pamundur për francezët - për ushtarët që kaluan Alpet.
Të gjithë shqiptarët, edhe ata që nuk i janë nënshtruar ende pushtetit të tij, flasin me krenari dhe entuziazëm për bashkëkombësin e tyre dhe, duke u krahasuar me të, ulin vazhdimisht vlerën e të tjerëve. Shpesh i dëgjonim duke thënë, kur flisnin për ndonjë pasha tjetër: “Nuk është si Aliu - nuk ka kokën që ka ai”. Por, vdekja e tij mund të shkatërrojë çdo shpresë për bashkim dhe rezistencë.
Fitimet e hershme të këtij njeriu të jashtëzakonshëm janë arritur me forcë armësh; por, zgjerimet e mëvonshme i ka arritur kryesisht përmes shpërndarjes së zgjuar të thesareve të veta, të cilat thuhet se janë shumë të mëdha, megjithëse shuma e saktë nuk mund të vlerësohet. Nga e dhjeta e çdo prodhimi të mbledhur për Portën, Veziri përfiton të paktën një të katërtën; ai gjithashtu zotëron afërsisht katërqind fshatra si pronë; dhe, përveç kësaj, kërkon nga të gjitha qytetet dhe rrethet shuma arbitrare për “mbrojtje”. Kam parë një përllogaritje që i vendos të ardhurat e tij në gjashtë milionë groshë, pa llogaritur detyrimet e rastësishme dhe dhuratat që i bëhen nga nënshtetasit e tij të krishterë. Shtoja kësaj faktin se të gjitha punët e tij kryhen falas dhe se kuzhinat dhe stallat e tij furnizohen nga qytetet ku ai ka ndonjë vendbanim. Ai jo vetëm që akomodohet vetë pa pagesë, së bashku me shpurën e tij gjatë udhëtimeve të shumta nëpër zotërimet e veta, por edhe ushtarët e tij, që marrin prej tij vetëm rreth dymbëdhjetë groshë në muaj, furnizohen me bukë dhe mish nga banorët e qyteteve dhe fshatrave ku shkojnë; kështu që ai është në gjendje të ruajë një pjesë të madhe të pasurisë së tij për raste urgjente, për të korruptuar ministrat e Portës dhe për të blerë territoret e fqinjëve. Ai nuk ka shumë shpenzime për blerjen e skllevërve meshkuj apo gra për shtëpinë e tij; sepse, me këta furnizohet nga familjet e hajdutëve që ai i ekzekuton ose i detyron të arratisen. Ne hasëm një burrë që po çonte në Tepelenë një djalë dhe një vajzë, të cilët sapo ishin gjetur në kasollen e një hajduti.
Për natyrën e vërtetë të Aliut, nuk patëm mundësi të formonim një gjykim, përveç atyre që dëgjonim nga thashethemet; dhe, nuk do të ishte e drejtë të besonim të gjitha rrëfimet e grekëve, të cilët e paraqesin atë si përbindëshin më barbar që ka turpëruar ndonjëherë njerëzimin. Sigurisht, askush përveç një njeriu me një natyrë të egër dhe gjakatare nuk do të kishte qenë i aftë ose i gatshëm të nënshtrojë popullin që ai ka vënë nën kontrollin e vet: jo vetëm prerjet e kokës, por edhe ngulja në hu dhe pjekja në hell mund të jenë të nevojshme për të mbjellë atë tmerr për emrin e tij, i cili vetvetiu, në shumë raste, ka sjellë paqe dhe siguri në zotërimet e veta; sepse banda të mëdha të hajdutëve janë nënshtruar vullnetarisht dhe janë rreshtuar mes ushtarëve të tij. Ekzekutimet tani janë të rralla në Janinë; por gjatë luftërave suliote, njëzet ose tridhjetë të burgosur ndonjëherë priteshin njëherësh në rrugët e qytetit. Kjo mizori trondit ndjenjat tuaja njerëzore; por “voilà comme on juge de tout quand on n’est pas sorti de son pays” [“kështu gjykojmë gjithçka kur s’kemi dalë nga vendi ynë”]. Nuk është e drejtë të vlerësosh meritat e ndonjë njeriu pa e krahasuar me karakterin dhe zakonet e popullit ku lindi dhe u edukua. Në Turqi, jeta e njeriut është jashtëzakonisht lirë, më e lirë se sa do ta besonte kushdo që nuk ka qenë ndonjëherë në atë vend; dhe, vrasjet që do ta mbushnin gjithë botën e krishterë me tmerr, nuk ngjallin as ndjenja habie e as neveri të dukshme, as në Kostandinopojë, as në provinca; kështu që ajo që, në pamje të parë, mund të duket si një shthurje e veçantë e një individi, në fund del të jetë thjesht në përputhje me zakonet dhe praktikat e përgjithshme. Prandaj, mund ta zhvendosni neverinë tuaj ndaj Aliut te kombi turk ose, më saktë, te zakonet e tyre; megjithatë, gati e fajësoj veten për shkelje të përmbajtjes që i takon një të ftuari ndaj mikpritësit, kur po ju tregoj dy tregime të trishta të cilat janë shumë të njohura dhe përfliten fshehurazi në Janinë.
Gruaja e Muhtar Pashës, vajza e Ibrahimit, ishte shumë e dashur për Vezirin; i cili, kur e vizitoi një mëngjes, e gjeti duke qarë. Ai e pyeti disa herë për shkakun e trishtimit të saj, për të cilin ajo më në fund, me ngurrim, pranoi se ishte ftohja e ndjenjave të të birit të tij ndaj saj. Ai e pyeti nëse ajo mendonte që burri i saj i kushtonte vëmendje ndonjë gruaje tjetër. Ajo u përgjigj: Po. Veziri kërkoi të dinte kush ishin; dhe, për këtë, zonja (thuhet se krejt rastësisht) shkroi emrat e pesëmbëdhjetë grave më të bukura të qytetit të Janinës, disa greke e disa turke. Po atë natë, të gjitha ato u arrestuan në shtëpitë e veta, u dërguan në pallatin brenda fortesës, prej andej nëpërmjet liqenit me varka, dhe pasi u futën në thes u hodhën në ujë.
Druaj se nuk ka vend për dyshim mbi vërtetësinë e kësaj historie; sepse, kur e përmendëm këtë çështje te shërbëtori ynë Vasili, ai tha se ishte e vërtetë; dhe, se, ai vetë, në atë kohë pjesëtar i rojës së qytet, ishte një nga tridhjetë ushtarët që u urdhëruan të kapnin dhe të zhduknin ato gra fatkeqe. Mund të duket e çuditshme që tridhjetë burra ishin të gatshëm të kryenin një punë të tillë; por, shqiptarët përbuzin gjininë femërore; dhe, ushtari ynë e justifikoi këtë veprim, duke thënë se ishte një gjë shumë e mirë, sepse ato ishin gra të këqija. Nuk është e pamundur që ky horr ta ketë menduar veten si pjesëmarrës në shtypjen e mëkatit.
Fati i Zofrenisë së bukur vazhdon të jetë subjekt i një kënge vajtuese, të cilën e dëgjuam fillimisht në Janinë dhe më pas në Athinë. Thuhet se ishte fatkeqësia e Zofrenisë, një zonjë greke nga Janina, më e bukura e gjinisë së saj, që të admirohej njëkohësisht nga Aliu dhe nga një prej bijve të tij; dhe, se, ajo kishte arritur ta mbante të fshehtë këtë lidhje të dyfishtë nga të dy dashnorët, derisa Veziri njohu në gishtin e saj një unazë që ai i kishte dhënë nuses së të birit. Me këtë zbulim, babai i zemëruar e la menjëherë dhe dha urdhrat fatale. Zofrenia u mbyt po atë natë. Ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeçe.
Edhe këtu shfaqet një shenjë e egërsisë turke, më tepër se e një natyre të veçantë barbare të Aliut; sepse, kjo mënyrë ndëshkimi për gratë nuk është aspak e pazakontë: Bajraktari, Veziri i Madh i famshëm, bëri të njëjtën gjë me shumë prej grave të haremit të Sulltan Mustafës, për të ulur shpenzimet e sarajit ose, sipas disa burimeve, për t’i ndëshkuar për intrigat e supozuara në oborr.
Pas asaj që u tha më lart, nuk ka nevojë të shtohet se Aliu i shijon plotësisht të gjitha kënaqësitë që ia lejojnë zakonet e vendit. Thuhet se haremi i tij përmban treqind gra. Kënaqësitë e tjera të tij nuk mund të jenë të ndryshme apo më të rafinuara.
Ndër shërbyesit në Tepelenë pamë edhe një lolo të oborrit, i cili dallohej nga një kapele e lartë e rrumbullakët prej gëzofi; por, ndryshe nga lolot e lashtë të monarkëve më të qytetëruar, ky njeri është i detyruar të kufizojë humorin e tij në përkëdhelje, kërcime dhe akrobaci para kalit të Vezirit, kur Madhëria e Tij del për shëtitje.
Në rininë e vet, Aliu nuk ka qenë një muhamedan shumë i përkushtuar; por kohët e fundit është bërë fetar dhe mban disa dervishë në oborrin e vet; megjithatë, nuk e zbut aspak ambicien: dhe, duke mos pasur punë me libra, i kalon të gjitha orët jashtë haremit duke kurdisur plane për pushtime të ardhshme. Ende është një kalorës aktiv, dhe zor se gjen një fshat në zotërimet e tij që ai të mos e vizitojë të paktën një herë në vit. Sipas burimeve të sigurta, besoj se ai nuk ka marrë as arsimin minimal që zakonisht u jepet shqiptarëve. Përveç gjuhës së tij amtare, flet rrjedhshëm greqisht, por turqishten e di shumë pak; dhe, ashtu si Justiniani dhe Teodoriku, sundimtarët bashkëkohorë të Perandorisë Lindore dhe Perëndimore, është ngritur në pushtet pa njohur ndoshta as shkronjat e ndonjë alfabeti.
Pa dyshim ai është një burrë i madh; por, pa e thënë apo ditur vetë që është pasardhësi i denjë i Pirros, të cilin, sipas një autori (Survey of the Turkish Empire, fq. 373), ai e ka zakon ta quajë Pirro, dhe sipas një tjetri (Voyage en Albanie, fq. 24), Burro. Por, kush nuk qesh me z. [William] Eton, mund të besojë mjekun [François] Pouqueville [perëndimorët që kishin vizituar Shqipërinë]. /Telegrafi/


















































