Tajlanda dhe Kamboxhia publikojnë videot e sulmeve të fuqishme ndaj njëra-tjetrës
Tensionet mes Tajlandës dhe Kamboxhias kanë arritur një tjetër pikë të nxehtë, teksa ushtria tajlandeze ka nisur të publikojë video të sulmeve ajrore me dronë kundër pozicioneve të ushtrisë kamboxhiane.
Pamjet e publikuara tregojnë dronët ushtarakë tajlandezë duke goditur objektiva të ushtrisë së Kamboxhias, në atë që shihet si një përshkallëzim i mëtejshëm i përleshjeve që kanë përfshirë kufirin mes dy vendeve.
Luftimet, sipas raporteve të fundit, kanë vazhduar edhe gjatë orëve të natës, raportojnë mediat e huaja.
Në anën tjetër, një video që po qarkullon në rrjetet sociale tregon forcat kamboxhiane duke përdorur sisteme raketore të lëvizshme (MLRS) për të qëlluar drejt pozicioneve tajlandeze, duke dëshmuar për një intensifikim të armëve të përdorura në konflikt.
Dronët, që po bëhen gjithnjë e më të pranishëm në konfliktet moderne në të gjithë botën, po luajnë një rol të rëndësishëm edhe në këtë përplasje rajonale, duke ofruar sulme precize nga ajri dhe duke rritur rrezikun për një konflikt më të gjerë në rajon.
Deri tani nuk ka ende një reagim zyrtar nga autoritetet ndërkombëtare, por analistët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa për de-përshkallëzim, situata mund të dalë jashtë kontrollit. /Telegrafi/






























