LAJMI I FUNDIT:

Tahiri: Mospjesëmarrja e Kurtit në samitin e Tiranës, e papranueshme

Tahiri: Mospjesëmarrja e Kurtit në samitin e Tiranës, e papranueshme
Foto: Arkiv

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se mospjesëmarrja e kryeministrit Albin Kurti sot në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, është e papranueshme, pasi siç tha ai, në këtë formë po i plotësohet dëshira Serbisë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet gjendja në shëndetësi, Tahiri ka komentuar mospjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në samitin e Tiranës.

“Është i papranueshëm fakti që kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti refuzon pjesëmarrjen në një samit kaq të rëndësishëm në këto rrethana të cilat po kalojmë edhe për çështje sigurie, edhe për shkak të anëtarësimit të gjithë rajonit në BE. Pra, refuzimi i tillë nga kryeministri Kurti është i papranueshëm. Dhe po ju rikujtoj që për 16 vjet, qe nga koha e shpalljes së pavarësisë, Republika e Serbisë në vazhdimësi e refuzon pjesëmarrjen e Kosovës në tavolinat ku është e barabarta me gjitha shtetet e rajonit, ndërsa sot fatkeqësisht kryeministri Kurti ia plotëson një dëshirë armikut tonë, shtetit të Serbisë me mospjesëmarrjen ku ata nuk kanë nevojë për të kërkuar mospjesëmarrjen e Kosovës, sepse Kosova e refuzon një pjesëmarrje”, tha Tahiri, transmeton KP.