LAJMI I FUNDIT:

Tahiri: Kemi kërkuar që të ndalet tërësisht importi nga Serbia

Tahiri: Kemi kërkuar që të ndalet tërësisht importi nga Serbia

​Importi i mallrave nga Serbia ka shënuar rënie të madhe me vendosjen e taksës 100 për qind. Që prej vendosjes së kësaj tarife, në muajin e parë të saj, Serbia humbi mbi 40 milionë euro në muaj.

Ata që i preku më së shumti kjo taksë ishin bizneset vendore, e në veçanti prodhuesit, të cilët u përballën me mungesë të lëndës të parë, porse shumë shpejt filluan ta marrin atë nga vende të tjera.

Nga ata që shfrytëzuan alternativa të tjera ishin edhe bujqit, të cilët duke përjashtuar Serbinë, filluan të importojnë grurin nga vende të ndryshme, përfshirë edhe Kanadanë, ndërsa efekti më i mirë i saj, vlerësohet të jetë ne rritjen e prodhimtarisë vendore.

Këtë e konfirmon edhe kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, i cili thotë se vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës është vërejtur rritje e prodhimtarisë bujqësore në Kosovë.

Ai ka thënë se e mbështesin taksën 100 për qind, pasi bujqit kaherë kanë kërkuar që të merren masa për import.

“Produktet bujqësore që na kanë ardhur nga Serbia kanë ardhur me çmime më të ulëta sesa që ne mund të prodhojmë në vendin tonë dhe, ajo na ka bërë konkurrencë jolojale dhe në këtë mënyrë ka bërë dëm të madh në zhvillimin e bujqësisë për arsye se bujqit tanë nuk kanë mundur me mbuluar koston e prodhimtarisë me ato çmime që kanë ardhur produktet nga Serbia. E dyta, prej Serbisë na kanë ardhur produkte me vlera jashtëzakonisht të dobëta e nganjëherë edhe të falsifikuara e kemi pasur raste kur ndonjëherë kemi hasur në produkte të dëmshme për shëndetin e njeriut”, thotë ai, në një intervistë për KosovaPress.

Tahiri thotë se si bujq, kishin kërkuar edhe më herët nga Qeveria që të marrë masa ndaj mallrave që importohen, për shkak të konkurrencës jolojale me të cilën janë përballur prodhuesit vendor.

“Kanë qenë të gjitha rrethanat që ne si Sindikatë por edhe shumë të tjerë kanë kërkuar që të stopohet në tërësi importi nga Serbia, apo të merren masa të tilla siç ishte njëherë 10 për qind e tani 100 për qind. Plotësisht e përkrahim këtë, për shkak se edhe para katër vjetësh është marrë një masë e tillë diku 20-25 për qind dhe menjëherë filloi veprimtaria vendore me u rritë sepse kur nuk ka konkurrencë nga importi, atëherë bujqit tanë mund të plotësojnë boshllëkun nga importi”, shprehet Tahiri.

Ai ka folur edhe për efektin që taksa 100 për qind pati për grurin dhe fton Qeverinë e Kosovës që të ketë prioritet të saj prodhimtarinë e grurit.

“Brenga nuk është se kemi mbetur të bllokuar, tash s’kemi kah me ia mbajtur. Kemi kah me e marrë, kah me importu grurin. Mirëpo Qeveria duhet t’i kushtojë shumë vëmendje grurit, prodhimtarisë vendore të grurit. Ne jemi në gjendje me prodhuar grurë të nivelit të lartë dhe kemi sipërfaqe të mjaftueshme me siguruar grurë, ndoshta qind për qind jo, por rreth 80 për qind mund ta sigurojmë bukën dhe kjo duhet të jetë prioritet i Qeverisë”, deklaron ai.

Ndryshe, prej vendosjes së kësaj tarife ndaj mallrave të Serbisë, ka qenë Bashkimi Evropian që vazhdimisht ka bërë presion tek institucionet e Kosovës që të largojnë taksën 100 për qind, ndërsa e heshtur nuk ka qëndruar as SHBA-ja. /Telegrafi/