Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka folur lidhur me situatën aktuale politike në Kosovë, duke theksuar se situata e krijuar për zgjedhjen e presidentit është një krizë serioze që mund të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Tahiri ka kritikuar ashpër partitë që janë në pushtet për mungesën e një procesi të mirëfilltë politik për zgjedhjen e një kandidati konsensual për presidencën e Kosovës.


“Partia në pushtet nuk i ka 80 vota me bo presidentin, e në mungesë të 80 votave nuk ka ndodh një proces politik për të zgjedhur një kandidat konsensual. Pse s’ka ndodh? E kemi ditë kur është afati i fundit dhe nuk ka ndodh asnjë tryezë politike për profilin e një kandidati potencial për president konsensual...kjo nuk ka ndodh. Kanë ndodh disa takime siç e kemi parë një me një, pa llogaridhënie...Sot jemi në një krizë serioze të shtetit të Kosovës, ku me vetëdije apo pa vetëdije don ta dërgojë vendin në zgjedhje", ka thënë Tahiri.

Ai po ashtu tha se mungesa e një procesi politik i faturohet vetëm partisë në pushtet, duke shtuar se “Është një puç që po i instalohet Kosovës”.

“Ajo është partia që i ka fituar zgjedhjet dhe nuk ka vendosur një emër të kandidatit por ka krijuar një amulli. Është një puç që po i instalohet Kosovës përmes një shumice parlamentare e cila e ka synimin e vetëm që ta synoj edhe presidencën e Kosovës dhe të mos ketë llogaridhënie. AAK nuk ka qenë e përfshirë në këto konsultime edhe pse kemi qenë të hapur”, ka thënë ndër të tjera Tahiri. /Telegrafi/