Portugalia ka luajtur baras me rezultat 2-2 ndaj Hungarisë në shtëpi në kuadër të ciklit kualifikues për Botërorin 2026.

Hungaria e nisi më mirë takimin dhe zhbllokoi rezultatin që në minutën e nëntë, kur Attila Szalai shënoi me kokë pas një goditje nga këndi, duke befasuar mbrojtjen portugeze dhe portierin. Ky gol i dha zemër vendasve, por vetëm përkohësisht.


Në minutën e 22-të, ishte radha e Cristiano Ronaldos për të treguar klasin. Pas një pasimi të saktë në zonë, kapiteni portugez nuk fali dhe mposhti portierin me një goditje precize, duke barazuar rezultatin në 1-1.

Në fundin e pjesës së parë, Portugalia e përmbysi ndeshjen falë një tjetër perle të Ronaldos.

Nuno Mendes asistoi nga krahu i majtë dhe Ronaldo, i pozicionuar mirë në zonë, e dërgoi topin në cepin e poshtëm të portës për rezultatin 2-1 (45+3’).

Pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë dhe të dy trajnerët bënë disa zëvendësime.

Pedro Neto, Bruno Fernandes dhe Ruben Dias kishin raste të mira për të thelluar epërsinë, por shtyllat dhe pritjet e portierit Balazs Toth e mbajtën Hungarinë në lojë.

Në minutën e 60-të dhe 61-të, Portugalia goditi dy herë shtyllën, fillimisht me një goditje të fuqishme nga Ruben Dias dhe më pas me një tentativë të Bruno Fernandes, që u devijua nga portieri dhe më pas u përplas në shtyllë.

Në minutën e 73-të, Hungaria ishte shumë pranë barazimit, por gjuajtja me kokë e Szalai në zonën e vogël u përplas në traverse.

Kur dukej se Portugalia do të dilte me fitore, Hungaria barazoi në minutën e 91-të. Dominik Szoboszlai, i lënë i lirë në zonë pas një pasimi të saktë, nuk hezitoi dhe goditi saktë në cepin e majtë të portës për të vulosur rezultatin përfundimtar 2-2.

Pas këtij barazimi Portugalia shkon në kuotën e dhjetë pikëve në Grupin F, me vendin e dytë që mbahet nga Hungaria me pesë sosh./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app