Sydney Sweeney ka folur hapur për reagimin e fortë ndaj reklamës së saj të “gjeneve të mira” për American Eagle, duke e përshkruar zemërimin në internet si “të pakontrollueshëm”.

Aktorja 27-vjeçare shkaktoi polemikë pasi fushata e xhinseve përdori një lojë fjalësh midis “xhinseve të mira” dhe “gjeneve të mira”, që disa kritikë e perceptuan si lidhje me gjuhën raciste të eugjenistëve, shkruan DailyMail.


Pavarësisht reagimit negativ, Sydney ka zgjedhur të mos mbrojë as të kritikojë fushatën, duke theksuar se nuk ka kontroll mbi mënyrën se si perceptohen veprimet e saj: “Jam gjithmonë vetvetja, por është ajo që mendojnë të tjerët që është e pakontrollueshme”, tha ajo.

Aktorja ka fokusuar energjinë e saj tek filmi i saj i fundit, Christy, një dramë biografike që tregon historinë e boksieres Christy Martin.

Sweeney theksoi se u identifikua me protagonisten: përjetimet dhe sfidat e Christy-t e ndihmuan të lidhej me rolin, duke reflektuar mbi luftën brenda dhe jashtë ringut.

Filmi u prit me kritika të përziera dhe të ardhura të dobëta në kinema, duke fituar vetëm 1.3 milion dollarë (afërsisht 1.12 milionë euro) në fundjavën e hapjes dhe një rezultat prej 67% në Rotten Tomatoes.

Megjithatë, Sydney ka theksuar se përvoja e punës në film dhe ekipi i angazhuar e kanë lënë të ndihet e përmbushur: “Ecja në sheshxhirim, çdo ditë e rrethuar nga një ekip që i kushtoi zemrën dhe shpirtin kësaj historie do të mbetet në zemrën time përgjithmonë”, tha ajo. /Telegrafi/