Sveçla publikon pretendime për Termokosin, kërkon sqarime për paralajmërimet e KfW-së dhe "konsumatorët e panjohur"

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka ngritur akuza ndaj menaxhimit të ndërmarrjes publike "Termokos" dhe Komunës së Prishtinës, duke pretenduar se Banka Zhvillimore Gjermane (KfW) ka paralajmëruar mundësinë e tërheqjes nga projekti i zgjerimit të sistemit të ngrohjes qendrore.
Përmes dy postimeve në Facebook, Sveçla ka thënë se, sipas tij, KfW i ka dërguar një letër paralajmëruese Bordit të Drejtorëve të Termokosit, ku shprehen shqetësime për mënyrën e menaxhimit të ndërmarrjes.
"Javën e kaluar, Banka Zhvillimore Gjermane KfW, si partnere dhe mbështetëse kryesore e ndërmarrjes publike komunale Termokos, ka paralajmëruar Bordin e Drejtorëve të ndërmarrjes se, për shkak të keqmenaxhimit që po ndodh në këtë ndërmarrje, po e shqyrton mundësinë e tërheqjes nga projekti i zgjerimit të sistemit të ngrohjes për Prishtinën", ka shkruar Sveçla.
Ai ka pretenduar se përgjegjësia për situatën nuk bie vetëm mbi Bordin e Drejtorëve të Termokosit, por edhe mbi kryetarin e Komunës së Prishtinës.
"Përgjegjësia për këtë dështim nuk përfundon te Bordi i Drejtorëve të Termokosit. Ajo shkon deri te Kryetari i Prishtinës, i cili ka përgjegjësinë politike dhe institucionale për mbikëqyrjen e kësaj ndërmarrjeje", ka deklaruar ai.
Sipas Sveçlës, rrezikimi i projektit të zgjerimit të ngrohjes qendrore dhe, sipas tij, vënia në pikëpyetje e bashkëpunimit me KfW-në, janë pasojë e "një qeverisjeje të papërgjegjshme dhe korruptive".
Në një postim tjetër, Sveçla ka ngritur edhe çështjen e asaj që ai e quan "konsumatorë të panjohur" të Termokosit, duke iu referuar, sipas tij, të njëjtës letër të KfW-së.
"Në letrën paralajmëruese që Banka Zhvillimore Gjermane KfW i ka dërguar Bordit të Drejtorëve të Termokosit, thuhet se janë raportuar 159 nënstacione që funksionojnë pa kontroll automatik dhe se një numër i konsiderueshëm i tyre u përkasin konsumatorëve të panjohur, të cilët nuk janë të regjistruar në bazën e të dhënave GIS të Termokosit", ka shkruar ai.
Sveçla ka shtruar një sërë pyetjesh publike lidhur me këta konsumatorë, duke kërkuar sqarime nëse ata paguajnë për shërbimin e ngrohjes, si evidentohen pagesat e tyre dhe kush i arkëton ato.
"Tani është radha e Termokosit dhe e Komunës së Prishtinës të japin përgjigje", ka përfunduar ai.
Shënim: Pretendimet e mësipërme janë bërë nga Gëzim Sveçla përmes postimeve në Facebook. Deri në publikimin e këtij lajmi, Termokosi, Komuna e Prishtinës dhe Banka Zhvillimore Gjermane (KfW) nuk kanë dalë me një reagim publik lidhur me këto pretendime. /Telegrafi/






































