Një ngjarje e rëndë është raportuar të dielën në Ferizaj, ku një person ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e një sulmi nga persona të panjohur.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 27 prill 2025 rreth orës 15:10, në rrugën “Gjon Sereqi” në Ferizaj.


Viktima, një mashkull kosovar, dyshohet se është sulmuar nga tre persona të paidentifikuar, ndërsa njëri prej tyre e ka goditur me një mjet të mprehtë, thikë.

Fillimisht, viktimës i është ofruar ndihma e parë në Qendrën Emergjente të Ferizajt, ndërsa më pas është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

Lidhur me rastin, është njoftuar dhe konsultuar edhe prokurori kompetent, ndërkohë që njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke punuar për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.

Rasti është cilësuar si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa hetimet po vazhdojnë. /Telegrafi/