Sulmi në plazhin e Sidneit i motivuar nga "ideologjia e Shtetit Islamik", thotë kryeministri australian

Të shtënat masive vdekjeprurëse në Bondi Beach u motivuan nga "ideologjia e Shtetit Islamik", tha kryeministri australian Anthony Albanese të martën në mëngjes.
"Duket se kjo ishte e motivuar nga ideologjia e Shtetit Islamik", i tha ai Korporatës Australiane të Transmetimeve (ABC).
Sipas tij, "ideologjia që ka ekzistuar për më shumë se një dekadë çoi në këtë ideologji të urrejtjes, dhe në këtë rast, një gatishmëri për t'u angazhuar në vrasje masive".
Kryeministri theksoi se ndërsa autoritetet kishin hetuar një nga personat e armatosur në vitin 2019, ai nuk konsiderohej person me interes në atë kohë dhe nuk ishte subjekt i monitorimit të vazhdueshëm, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
"Tani, nëse ai u radikalizua më tej pas kësaj, cilat janë rrethanat, kjo është objekt hetimi të mëtejshëm", citohet të ketë thënë Albanese.
Udhëheqësi australian bëri të ditur se qeveria po punon shumë për të adresuar antisemitizmin në vend.
“Po punojmë sa më shumë që mundemi”, tha ai, duke shtuar: “Por antisemitizmi, sigurisht, ka ekzistuar për një periudhë shumë të gjatë kohore – kjo është çështja. Shteti Islamik është një ideologji që, tragjikisht, gjatë dekadës së fundit, veçanërisht që nga viti 2015, ka çuar në radikalizimin e disa njerëzve në këtë pozicion ekstrem, dhe është një veprim i urryer”.
Kujtojmë se një baba dhe biri i tij janë identifikuar si të dyshuarit për sulmin terrorist ndaj një eventi hebraik në plazhin Bondi, Sidnei - i cili vrau të paktën 15 persona.
Më shumë se 1,000 persona po festonin festën hebraike të Hanukkah në plazh të dielën në mbrëmje, kur dy persona hapën zjarr ndaj tyre.
Personat e vrarë në sulm janë nga 10 deri në 87 vjeç, përfshirë një rabin dhe një të mbijetuar të Holokaustit, ndërsa 38 të tjerë janë plagosur.
Një nga personat e dyshuar për sulm është identifikuar nga policia e New South Wales (NSW) si 24-vjeçari Naveed Akram, ndërsa tjetri është identifikuar si babai i tij 50-vjeçar, Sajid Akram. /Telegrafi/










































