Sulme kibernetike në Ukrainë, “bie” ueb-faqja e ministrisë së Mbrojtjes – por edhe sistemi bankar

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës por edhe një numër i bankave në këtë shtet, kanë raportuar se sot rreth orës 15:00 ishin cak i sulmeve kibernetike ku ueb-faqet e këtyre institucioneve e kishin të pamundur të vazhdojnë punën si duhet.
Siç raportojnë mediat e atjeshme, të paktën dy banka kanë raportuar sulme kibernetike, e gjithashtu është bërë e ditur se këto aktivitete kibernetike janë shumë të forta dhe më ndryshe nga ato të kaluarat, transmeton Telegrafi.
Përdoruesit ndërkohë kanë raportuar se nuk po kanë qasje në llogaritë e tyre online, e një pjesë tjetër thonë se po mund t’i hapin por jo edhe të bëjnë transaksione.
Sulmi kibernetik është konfirmuar se është kryer edhe mbi ministrinë e Mbrojtjes – që bënë të ditur se sulmet DDoS ua pamundësuan funksionimin e ueb-faqeve.
Aktivitete të ngjashme hakerët kryen edhe në fillim të janarit, kur objektiv ishin ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës dhe si ueb-faqe të mediave në këtë vend. /Telegrafi/





















































