Suhareka formon komisione për vlerësimin e dëmeve nga stuhia, Muharremaj kërkon kujdes nga qytetarët

Kryetari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj ka njoftuar se janë formuar komisione për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia dhe reshjet e shiut që kanë përfshirë këtë komunë.
Sipas Muharremajt, dëmet do të vlerësohen në disa fusha përfshirë sektorin e bujqësisë, institucionet publike dhe arsimore, bizneset, hapësirat publike dhe zona të tjera të prekura.
Komisionet e angazhuara, në koordinim me kryetarët e fshatrave, do të dalin në terren për të parë nga afër gjendjen dhe për të evidentuar pasojat e shkaktuara nga kushtet e rënda atmosferike.
“Komisionet e formuara në kontakt me kryetarët e fshatrave do të dalin në terren dhe do të bëjnë vlerësimin e gjendjes dhe dëmeve të shkaktuara”, ka shkruar Muharremaj.
Kryetari i Suharekës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke u bazuar në paralajmërimet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës se reshje dhe stuhi mund të ketë edhe gjatë ditës së sotme.
Ai ka kërkuar që qytetarët të veprojnë me qetësi dhe të respektojnë rekomandimet e institucioneve përgjegjëse për përballimin e situatave të tilla. /Telegrafi/

































