LAJMI I FUNDIT:

‘Stuhia kineze’ po afrohet mbi sektorin evropian të veturave elektrike, paralajmëron kryetari i bordit të Renault

‘Stuhia kineze’ po afrohet mbi sektorin evropian të veturave elektrike, paralajmëron kryetari i bordit të Renault

Një “stuhi kineze” po i afrohet sektorit evropian të veturave elektrike, tha për Reuters të shtunën Jean-Dominique Senard, kryetar i bordit të Renault, teksa superfuqia aziatike dominon lëndët e para kryesore për të prodhuar bateri për veturat me emetim zero.

Vendimi i fundit i Kinës për të vënë kufizime mbi eksportin e dy metaleve – galiumit dhe germaniumit – të cilat përdoren në gjysmëpërçues dhe vetura elektrike, duhet të ngre shqetësime tek liderët evropian pasi shfaq varësinë e madhe të kontinentit të vjetër ndaj Kinës dhe nevojën e ndërtimin të një zinxhiri furnizues me kosto të lartë, deklaroi Senard.

“Kur flas për një stuhi kineze, e kam fjalën për presionin e madh të sotëm i cili lidhet me importimin e veturave elektrike kineze në Evropë”, shtoi Senard, përcjell Telegrafi.


“Ne jemi të aftë të prodhojmë vetura elektrike, por po luftojmë për të garantuar sigurinë e furnizimeve tona”, tha ai, duke shtuar se industria kineze e veturave elektrike dhe zinxhiri i furnizimit për lëndët e para rezultuan nga vite të tëra investimesh që do të kushtonin miliarda euro për t’u kopjuar.

Kufizimet e eksportit nga Kina po përshkallëzojnë një luftë teknologjike me Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar potencialisht më shumë ndërprerje në zinxhirët e furnizimit global. Evropa e gjen veten në mes, duke e detyruar atë të kërkojë alternativa në rast të skenarit më të keq.

“Nëse ka një krizë të vërtetë gjeopolitike, dëmtimi i fabrikave të baterive të fuqizuara vetëm nga produktet që vijnë nga jashtë do të jetë i konsiderueshëm”, paralajmëroi Senard. “Ky është problemi”, shtoi tutje ai.

Zhvillimi i lëndëve djegëse alternative – të tilla si e-karburantet sintetike dhe hidrogjeni – do të ishte vendimtar në rast të një mungese të papritur të baterive për shkak të mungesës së lëndëve të para, shtoi ndër të tjera Senard.

“Ashtu siç do të bënte çdo prodhues i kujdesshëm, edhe ne po kërkojmë alternativa për të shmangur paralizimin e vendit nëse, për shembull, na mbarojnë bateritë”. /Telegrafi/