Në ditën e dytë të Javës së Trajnimeve për ESG – Environmental, Social and Governance Standards, organizuar nga ESRA – Environmental and Social Responsibility Association, studentët e Universitetit të Prishtinës patën mundësinë të ndjekin një trajnim të dedikuar temës: “Marketingu i Përgjegjshëm”.

Ligjërues në këtë sesion ishte gazetari dhe arkitekti Butrint Avdyli, i cili përmes një prezantimi ndërveprues dhe rasteve konkrete ndërkombëtare, adresoi rëndësinë e etikës në komunikim, ndikimin që marketingu mund të ketë në sjelljen sociale, dhe mënyrat për të shmangur fenomenin e njohur si greenwashing – ku brendet krijojnë perceptime të rreme për përkushtim ndaj çështjeve mjedisore apo sociale.


Trajnimi u mbajt në Qendrën për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës dhe mblodhi studentë nga fusha të ndryshme, të cilët u angazhuan aktivisht përmes ushtrimeve kreative, diskutimeve rreth shembujve të marketingut etik dhe analize të rasteve të famshme nga mediat sociale dhe industria filmike.

Avdyli theksoi se “marketingu sot nuk është vetëm për të shitur një produkt, por për të ndërtuar besim dhe për të adresuar realisht çështje që kanë rëndësi për shoqërinë dhe ambientin”.

Në fund të trajnimit, studentët morën pjesë në një lojë kreative ku secili grup kishte për detyrë të krijonte një fushatë të përgjegjshme për një kauzë sociale ose mjedisore, duke përdorur një kanal të masmedias moderne. Prezantimet u vlerësuan për kreativitet, etikë dhe realizueshmëri.

Ky aktivitet është pjesë e një jave të plotë trajnimesh që synojnë të fuqizojnë të rinjtë me njohuri praktike mbi standardet ESG, dhe është organizuar nga ESRA, në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës. /Telegrafi/