Struga dhe Shkëndija në duel direkt për një vend në gjysmëfinale

Është hedhur shorti për çerekfinalet e Kupës së Maqedonisë, ku vëmendja kryesore do të jetë e përqendruar te dy përballje me interes të madh për futbollin në vend, njofton Telegrafi.
Derbi shqiptar mes Struga Trim Lum dhe Shkëndijës së Tetovës pritet të jetë kryendeshja e kësaj faze. Dy skuadrat më të suksesshme shqiptare të viteve të fundit do të përballen në një duel eliminator, ku çdo gabim kushton eliminim.
Struga, aktualisht ndër ekipet më konstante në skenën vendore, do të masë forcat me Shkëndijën e Tetovës, klub me traditë dhe përvojë të madhe në garat e Kupës.
Një tjetër duel me interes është ai mes Shkëndijës së Haraçinës dhe Rabotniçkit. Ekipi nga Haraçina nënkampion e e aligës së Dytë do të ketë përballë një kundërshtar me përvojë, por që në kampionat nuk është treguar mirë këtët sezonë.
Në çerekfinale janë përcaktuar edhe duelet e tjera, ku Vardari do të përballet me GFK Ohrin, ndërsa Detonit Plaçkovica do të luajë kundër Sileksit.
Sipas shortit, janë caktuar edhe çiftet potenciale të gjysmëfinaleve. Fituesi i përballjes Struga – Shkëndija do të ndeshet me fituesin e duelit Shkëndija e Haraçinës – Rabotniçki, çka lë të hapur mundësinë për një tjetër përballje shqiptare në fazën gjysmëfinale.
Ndeshjet çerekfinale të Kupës së Maqedonisë do të zhvillohen më 25 shkurt dhe në rast barazimi, fituesi do të përcaktohet direkt përmes penalltive, ndërsa gjysmëfinalet do të luhen me sistemin vajtje-ardhje. /Telegrafi/





















































