Strasburgu e obligon Maqedoninë: Brenda 3 muajve duhet të paguajë borxhet e ndërmarrjeve publike

Maqedonia humbi rastin në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut – shteti është i detyruar brenda tre muajve të paguajë borxhet e ndërmarrjeve publike ndaj kompanive private, sepse nuk janë respektuar vendimet e gjykatave që kanë marrë fuqi ligjore.
Vendimi konstaton se me të ashtuquajturat “korniza” nga Ligji për Ekzekutimin, është shkelur Neni 6 i Konventës Evropiane – e drejta për një proces të drejtë dhe për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Avokati Viktor Bozhinovski paralajmëron se ndërmarrjet publike nuk mund të fshihen më pas “mjeteve të nevojshme për punë” dhe do të jenë të detyruara të shlyejnë borxhet. Sipas analizave, kompanitë shtetërore detyrohen mbi 358 milionë euro, ndërsa borxhi i përgjithshëm “i brendshëm” i institucioneve në fund të marsit ka arritur 651 milionë euro.
Borxhlinjtë më të mëdhenj janë “Nomagas”, Hekurudhat – Transport dhe Infrastrukturë dhe EMV. Gjykata Evropiane thekson se mungesa e buxhetit ose e burimeve nuk mund të shërbejë si justifikim për mos-ekzekutimin e vendimeve gjyqësore./TV21/



















































