LAJMI I FUNDIT:

Stop “putinizmit” në Kosovë

Se vërtetë është “i fortë, shumë i forte” shteti i Kosovës e pamë tash së voni, me rrahjen dhe burgosjen e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Deri më sot nuk kam parë pamje më trishtuese dhe më të tmerrshme se tash së fundi. Unë nuk po kuptoj këtë luftë agresive të institucioneve të Kosovës kundër strukturës së intelektualëve të rinj. Pse ka filluar ky vrapim i rrezikshëm dhe i përçudshëm nuk ka përgjigje, dhe a do të duhej me këtë të merreshin njësitë speciale të policisë, të cilat paguhen nga taksapaguesit kosovarë, apo kjo ishte detyrë e punëtorëve të sigurimit të aeroportit? Jo, assesi pjesëtarët e njësitit special të policisë! Ata duhet të zbulojnë krimet e shumta që kanë ndodhur deri më tash në Kosovë, kur ka pasur raste edhe të ekzekutimit të kolegëve të tyre në mes të ditës, kur qytetarët në pjesën veriore të Mitrovicës kërkojnë mbrojtjen e tyre, kush u jep atyre këtë të drejtë të dëmtojnë prestigjin e paanësisë politike të Policisë së Kosovës dhe të abuzojnë me të drejtën konstitucionale të të rinjve për të shprehur mospajtimin e tyre të drejtë me diplomacinë e fshehtë të kryeministrit Thaçi dhe të Edita Tahirit.

Deklarata e Qeverisë lidhur me protestën paqësore, si e drejtë demokratike e patjetërsueshme e qytetarëve ishte “putiniste”, kur dihej fakti se në mesin e tyre kishte deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Detyrë e policëve do të duhej të ishte mbrojtja fizike e deputetëve, jo rrahja e tyre dhe abuzimi i ligjeve të Kosovës. Protesta ishte paqësore dhe shumë dinjitoze,“gjuajtja me domate” ishte inventive dhe shumë simbolike. Athua si do të silleshin njësitet special të Kosovës po të gjuhej kryeministri Thaçi me këpucë, ashtu siç u gjuajt presidenti amerikan George W. Bush, gjatë një konference me gazetarë…? Me çfarë të drejte njerëzore bëhej ky turr kundër të rinjve shqiptarë?


Aq më keq, kur po prezantohet kjo parodi e dhunës dhe forcës së tepruar fizike në aeroportin ndërkombëtarë të Prishtinës, ka pasur ndonjë informacion për këtë sigurimi i aeroportit, e dinë ata se sa çmohet puna e tyre atje, sa paguhen ata dhe cili është reputacioni i tyre publik? Pyetja është kush i angazhoi policët e njësitit special, a kërkuan ndihmë punëtorët e sigurimit, apo u dha komandë atyre ministri i Brendshëm, apo vet kryeministri, ashtu siç bëri me rastin e angazhimit të tyre në veri të vendit, duke shkarkuar nga pozita drejtorin e policisë së Kosovës pa asnjë arsye paraprake. Ai kështu ia hapi dyert vetes për të emëruar dhe shkarkuar zyrtarë sipas tekeve, jo sipas profesionalizmit në punë.

Reputacioni i policit duhet të jetë i pathyeshëm, ata nuk mund të ekzekutojnë urdhra “ad-hoc” të politikanëve, ata duhet të sillen në përputhje me detyrimet e tyre ligjore. Athua aq ulët ka rënë shtresa e intelektualëve në Kosovë, për të mos reaguar nga ky demonstrim i tepërt i dhunës, pse ky defekt aq i rëndë shoqërorë, dhe pse nuk po dëgjohet zëri i arsyes, është një dhembje një gjëmë e madhe për këtë gjendje makabre. A do të duhej një angazhim më serioz i kuvendarëve të Kosovës për të ndalur këtë nënçmim tej mase të rrahjes së kolegëve të tyre?