LAJMI I FUNDIT:

Stavileci: TC “Kosova e Re” nis më 2018, po bëjmë zgjidhje shekullore (Video)

Stavileci: TC “Kosova e Re” nis më 2018, po bëjmë zgjidhje shekullore (Video)

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, bën të ditur se në muajin mars do të nënshkruhen marrëveshjet komerciale me investitorin amerikan “Contour Global”. Kjo do t’i hapë rrugë tenderimit për ndërtuesin e termoelektranës “Kosova e Re”. Ky proces do të përmbyllet në fund të këtij viti dhe më 2018 duhet të nisë ndërtimi.

Termocentrali “ Kosova e Re” do të ketë kapacitete gjeneruese prej 450 megavatësh. Vlera financiare e këtij projekti llogaritet në rreth një miliard euro.


Ministri Stavileci, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se me “Kosovën e Re” po bëhet zgjidhje shekullore.

“Ndërtimi zgjat katër vjet dhe që nga viti, orientimisht 2022, kur ky kapacitet i ri do të instalohet dhe do të funksionojë, ne besoj që përfundimisht do ta bëjmë atë që e quaj unë zgjidhje shekullore, sepse më nuk do të kemi probleme me furnizimin e rregullt me energji elektrike”, thekson ai.

Disa organizata të shoqërisë civile e kanë kundërshtuar ndërtimin e TC “Kosova e Re”, duke paralajmëruar shtrenjtimin e rrymës, sikurse dhe probleme me ndotjen.

Por, kreu i MZhE-së thekson se një nga burimet kryesore të Kosovës është thëngjilli dhe se kapacitetet e reja gjeneruese është dashur të ndërtohen, duke e shfrytëzuar këtë pasuri nëntokësore. Nga ana tjetër, ai siguron se teknologjia që do të përdoret në këtë TC do të jetë moderne dhe miqësore me mjedisin. “Besoj që ambienti ndotet më shumë nga makinat sesa që do të ndotet nga ky termocentral”.

Ndërsa, thekson rëndësinë që Kosova të pavarësohet edhe në fushën energjetike, Stavileci, ata të cilët e kundërshtojnë ndërtimin e “Kosovës së Re”, i krahason, në njëfarë mënyre, me kundërshtarët e pavarësisë së vendit.