Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, kompania SpaceX e miliarderit Elon Musk ka vendosur të ofrojë falas shërbimin satelitor të internetit Starlink për përdoruesit në Iran.

Qëllimi i kësaj mase është të ndihmojë qytetarët iranianë të kenë qasje në informacion dhe komunikim, në një kohë kur vendi po përballet me kufizime të rënda të internetit.


Bloomberg News ka raportuar se tarifa mujore e abonimit është hequr, duke u mundësuar personave në Iran që tashmë posedojnë pajisje marrëse të Starlink të lidhen me internetin pa asnjë kosto. Megjithatë, sfidë mbetet disponueshmëria e pajisjeve, pasi importimi i tyre në vend është i kufizuar nga sanksionet dhe kontrollet shtetërore.

Ky zhvillim vjen ndërkohë që bllokada e internetit në Iran ka kaluar tashmë ditën e pestë, duke lënë miliona qytetarë pa qasje në rrjetet sociale, platformat e komunikimit dhe mediat ndërkombëtare, raporton skynews.

Autoritetet iraniane kanë përdorur ndërprerjen e internetit si një mjet për të kufizuar rrjedhën e informacionit gjatë tensioneve të fundit në vend.

Sot, për herë të parë pas disa ditësh, qytetarët iranianë kanë mundur të kryejnë telefonata drejt vendeve të huaja, çka shihet si një lehtësim i pjesshëm i kufizimeve. Megjithatë, pjesa më e madhe e popullsisë vazhdon të mbetet e shkëputur nga bota e jashtme, pa qasje të plotë në internet dhe në burime të pavarura informacioni.

Ofrimi falas i shërbimit Starlink shihet nga shumë vëzhgues si një përpjekje për të mbështetur lirinë e komunikimit dhe për të anashkaluar censurën digjitale, ndërsa situata në Iran vazhdon të mbetet e tensionuar. /Telegrafi/