Stabilizohet tregu i peletave në vend. Depotë tanimë nuk janë të zbrazëta si rreth një muaj më parë. Kryetari i shoqatës së importuesve të peletave, Vlladimir Stojanovski njofton se ka mjaftueshëm sasi të qasshme, por çmimi i peletave vazhdon të mbetet i njëjtë, njësoj sikur kur kishim krizën me mungesën e tyre, kur edhe u rritën çmimet. Aktualisht 15 kilogramë peleta kushtojnë nga 330 deri në 360 denarë.

“Momentalisht tregu është më i stabilizuar, krahasuar me një muaj e gjysmë më parë, ka mjaftueshëm sasi të qasshme. Çmimet janë në të njëjtin nivel të periudhës prej para një muaji e gjysmë, kur kishte një rritje të caktuar, domethënë ka stabilizim, nuk ka rënie të çmimit por ka stabilizim të tregut”, tha Vlladimir Stojanovski, Kryetar i shoqatës së importuesve të peletave.


Nga ana tjetër, numri një i ndërmarrjes Pyjet Kombëtare, tha se ngrohja me dru mbetet burimi më i lirë i energjisë dhe interesimi i qytetarëve është shumë i lartë. Zdravko Trajanov theksoi se shumë qytetarë e keqpërdorin këtë mënyrë ngrohjeje, ku nëpër shporete djegin edhe mbetje të shumta, që ndikojnë në cilësinë e ajrit.

“Ne mbetemi burimi më i lirë i energjisë për momentin në shtet, interesimi për dru është normalisht i lartë, më duhet të them se këtë vit të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar me persona fizik dhe juridik janë plotësuar, dikund 99 përqind. Më duhet të tregoj dhe të bëj thirrje te qytetarët që të mos djegin mbetje nëpër shporete, pasi që ajo seriozisht ndikon në ndotjen e ajrit dhe mjedisit jetësorë…”, u shpreh Zdravko Trajanov, Drejtor i Pyjeve Kombëtare.

Trajanov tha se përveç amvisërive, keqpërdorime ka edhe nga disa objekte industriale dhe punëtori. Ai bëri thirrje që institucionet të kryejnë inspektime rregullisht dhe të sigurojnë mjedis të pastër jetësorë. /Alsat.mk