”Të nderuar kolegë,
Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të disa shkrimeve në gazeta si dhe të disa deklarimeve publike të disa të punësuarve në RTK ndaj të cilëve janë marrë disa masa disiplinore.
Këto deklarata kanë të bëjnë edhe me punën e Komisionit Disiplinor. Prandaj kemi ndier obligim, që juve kolegë të ndëruar të RTK-së, pa dashur që të futemi në debatet mes menaxhmentit dhe Sindikatës së RTK- së, për hirë të informimit të drejtë, t’u ofrojmë informata dhe sqarime shtesë. Komisioni Disiplinor punon në bazë të Rregullores për Përgjegjësi Materiale dhe Disiplinore të RTK-së dhe Ligjit të Punës.
Duhet të dihet nga të gjithë që Komisioni merret vetëm më rastet për të cilat inicohet procedurë disiplinore në bazë të Rregullorës. Komisioni nuk e ka në mandatin e vet që të marrë rolin e “policisë hetuese” dhe të hetojë se kush po i shkel rregulloret e kush jo. Komisioni po ashtu nuk mund të merret me motivet e inicuesëve të procedurave disiplinore ndaj të të punësuarve. Komisioni thjesht, në bazë të dëshmive të mbledhura, vendos nëse ka pasur shkelje të rënda të detyrave të punës ose jo, për rastet e inicuara, gjithnjë duke u thirrur në rregullore.
Argumentimi se Komisioni po punon në mënyrë selektive dhe se është pjesë e një konsiparicioni të madh kundër Sindikatës është i paqëndrueshëm, spekulativ dhe i pa bazuar në argumente. Tendenca, që masat e marra së fundmi ndaj dy anëtarëve të kryesisë së Sindikatës të paraqiten si ndëshkim për aktivitetin e tyre sindikal, është tërësishtë e pavërtetë.
Ndaj koleges Behare Bajraktari, procedurën disiplinore ka inicuar eprorja e saj e drejtpërdrejtë e jo menaxhmenti i RTK-së. Eprorja e saj ka dëshmuar në mënyrë të pakontestueshme të gjitha shkeljet e vazhdueshme të koleges Bajraktari. Dëshmitë e saj me shkrim si dhe audio incizimet janë pjesë e dëshmive që Komisioni, së bashku edhe më dëshmitë e eprorëve tjerë të Radios, ka marrë për bazë kur ka marrë vendimin. Ndërkaq kolegia Bajraktari ka refuzuar të jap dëshminë e saj me shkrim lidhur me procedurën e ngritur disiplinore kundër saj.
Ajo në vazhdimësi ka refuzuar çfaredo lloj bashkëpunimi me eproren e saj, ka refuzuar të marrë pjesë në mbledhjet planifikuese, nuk ka raportuar për punën e saj, ka shprehur arrogancë dhe ka shkaktuar ndërprerjen e mbledhjeve me eprorët e saj, ka shfrytëzuar mundësinë që të bëj akuza publike për eprorët e saj dhe për departamente të ndryshme të RTK-së.
Kolegja Bajraktari, përderisa ka qenë në procedurë disiplinore, sipas dëshmive me shkrim, sulmon verbalisht një kolege 60 vjeçare, duke përdorur fjalor tepër të pahijshëm dhe duke demonstruar sërish arrogancë dhe sjellje të patolerueshme.
Për më tepër, ajo tashmë ka pasur një masë disiplinore (vërejtje e fundit me shkrim), por Komisioni, duke marrë për bazë faktin se ajo vërejtje (ndonëse dëshmon recidivizëm) është marrë vite më parë, ka vendosur që të marrë masë më të butë disiplinore ndaj saj, sesa që do të duhej, në bazë të rregullores.
Këto fakte janë te pamohueshme dhe të pamëshirshme. Jemi të bindur se hedhin poshtë tendencat naïve që shkeljet drastike të detyrave të punës të paraqiten si ndëshkim për aktivitetin sindikal, siç janë munduar ta paraqesin disa anëtarë të Sindikatës (jo të gjithë).
Ndërkaq, masat ndaj kolegut Halili, janë marrë për shkak të dëshmive të pakontestueshme se z. Halili është nënshkruar rrejshëm në librin e hyrje-daljeve në RTK. Më saktësisht z. Halili ka tentuar të dëshmojë se ka qenë në punë në kohën kur në të vërtetë nuk ka qenë. Kjo vështirë se mund të quhet aktivitet sindikal e aq më pak përfaqësim i denjë i punëtorëve të RTK-së.
Për më tepër, dëshmia e rrejshme dhe mashtrimi janë shkelje të rënda disiplinore dhe si të tilla të dënueshme.
Z. Halili, si duket nuk e ka fare problem të deklarohet rrejshëm publikisht, natyrisht gjithnjë duke shfytëzuar edhe angazhimet e tij ne Sindikatë apo në organizata tjera profesionale.
Ai deklaron publikisht rrejshëm që Komisoni është krijuar “shpejt e shpejt” (duke aluduar që është krijuar për të dënuar atë), ndërkaq Komisioni Disiplinor I RTK-së, në këtë përbërje është ngritur në shtator të vitit 2013.
Z. Halili, duke shfrytëzuar faktin se rastësisht është anëtar i kryesisë së AGK-së dhe ku ka të drejtën për të folur, sërish deklarohet rrejshëm publikisht se i është privuar e drejta e ankesës, ndërkaq në vendimin e tij qartazi i jepet e drejta e ankesës në shkallë të dytë.
Kolegë të nderuar,
Jemi thellësisht të bindur, se tendenca që kolegët në fjalë të paraqiten si viktima të një lufte kundër Sindikatës e jo si shkelës të detyrave dhe obligimeve të punës është në rastin më të mirë e pandershme. Aq më tepër kur në përbërje të Komisionit ka edhe anëtarë të Sindikatës në fjalë.
Ju përkujtojmë kolegë të nderuar, se po ky Komision në dy raste të ngrituara ndaj dy të punësuarve të RTK-së, që të dy gazetarë me reputacion dhe që të dy anëtarë të Sindikatës , ka vlerësuar se nuk ka pasur shkelje të rënda të detyrave të punës. Ne e kuptojmë shqetësimin e juaj se mund të ketë edhe të tjerë që do të duhej të ishin pjesë e procedurave disiplinore. Por, kjo nuk mund të shërbejë si argument që të mos merren masa për rastet për të cilat inicohet proceduara dhe dëshmohet shkelja.
Thënë këtë, ftojmë të gjithë ata qënë bazë të rregullores kanë të drejtë të inicojnë procedura disiplinore, ta bëjnë këtë pa hezitim. Do të bindeni që Komisioni do të jetë konsistent në vendimmarrjen e vet.