Sqarim i “Dardanëve”: Tifozeria jonë është e hapur për të gjithë

Në vazhdën e zhvillimeve të fundit dhe komenteve të shumta në opinionin publik lidhur me rolin dhe funksionimin e tifogrupit "Dardanët", kryesia e këtij grupi ka ndier të nevojshme të dalë me një sqarim të detajuar.
Kjo komunikatë synon të sqarojë pozicionin zyrtar të Dardanëve në lidhje me akuzat, keqkuptimet dhe thashethemet që kanë qarkulluar ditëve të fundit, për të ruajtur unitetin dhe mirëkuptimin në komunitetin e tifozëve të Kosovës.
Ju paraqesim më poshtë deklaratën e plotë të tifogrupit Dardanët.
SQARIM PËR OPINIONIN PUBLIK
Në ditët e fundit kemi qenë dëshmitarë të një breshërie të pavërtetash në drejtim të "Dardanëve" dhe liderit të tifogrupit, Lulzim Berisha. Tani është koha që, për hir të tifozëve të futbollit, tifozëve të Kosovës në veçanti dhe atyre që punojnë për të mirën e sportit kosovar e kanë dëshirë ta shohin duke avancuar, t’i rendisim disa fakte një nga një, për të cilat mbajmë përgjegjësi si kryesi e "Dardanëve", të gjithë, person për person.
• Fillojmë nga e para. “Dardanët” nuk i ka privatizuar askush, aq më pak Lulzim Berisha. Jemi grup i strukturuar dhe i shtrirë në shumë qytete, ku kemi përfaqësuesit tanë brenda dhe jashtë territorit të Kosovës (emrat i gjeni poshtë shkrimit).
• Së dyti, organizimi vazhdon me një grup tjetër vullnetarësh, që prej ndeshjes së parë kualifikuese, të cilët na kanë ndihmuar me ide koreografish, si “Raised by war, stronger than fear”, e me të cilët koordinohemi në mënyrë respektuese për të bërë më të mirën që përfaqësimi i vendit tonë nga tribunat të duket sa më mirë. Një detaj i tillë tregon se jemi të hapur për të gjithë që dëshirojnë të kontribuojnë në punë të mira. Pra, nuk ka këtu privatizime siç thonë disa të pavërteta, për të mos e ashpërsuar gjuhën me terma të tjerë. Duhet nënvizuar gjithashtu se, përveç këtij grupi, është edhe grupi tjetër i dizajnerëve dhe rrjeteve sociale që angazhohen konform vendimeve tona.
THASHETHEMET MBI RAPORTIN ME TIFOGRUPET LOKALE
Tani ka ardhur koha t’i themi disa të vërteta. Kosova është e vogël dhe njihemi të gjithë ne që jemi pjesë e tribunave të sportit. “Dardanët” me krenari njoftojnë opinionin publik se nuk kanë me asnjë tifogrup lokal qoftë edhe minimumin e keqkuptimit, pengesave, ngatërresave apo problemeve. Këtyre thashethemeve u japim fund me këtë shkrim, një herë e mirë. Ata që nuk i përkasin këtij sektori nuk kanë të drejtë të hedhin akuza pa fakte. Sido që të jetë, për hir të respektit për ju dashamirës të Kosovës si kombëtare, ne tani do t’ua sqarojmë “fije për pe” të gjithë të vërtetën tonë.
• Pikë së pari, tifogrupet lokale janë në dijeni se dyert i kanë të hapura te “Kosova” dhe “Dardanët”. Ne nuk zotërojmë pronësi mbi Kosovën si ekip kombëtar në aspektin e organizimit të tifozerisë. Ajo i takon të gjithëve dhe si e tillë, të gjithë mund të marrin pjesë në përkrahjen dhe ngritjen e saj.
• Së dyti, nuk është e vërtetë që tifogrupet lokale mungojnë në ndeshjet e Kosovës. Vetë përfaqësuesit tanë janë tifozë të flaktë si pjesë organizative e strukturave të tifogrupeve lokale të qyteteve nga vijnë ata dhe për klubet lokale për të cilat bëjnë tifozllëk, e që është shumë e natyrshme.
• “Dardanët” nuk mund të përzihen në vullnetin e anëtarëve të tifogrupeve lokale se sa veta dëshirojnë t’i bashkohen sektorit tonë të tribunave në ndeshjet e Kosovës. Të gjithë janë të mirëseardhur. Pastaj është në vullnetin ekskluziv të secilit tifoz të këtyre klubeve nëse dëshiron të vijë apo jo.
• Nga diskursi i krijuar medial, duket sikur kemi ndonjë telashe me pjesëtarë të caktuar të tifogrupeve lokale. Për t’i përgënjeshtruar drastikisht këto aludime boshe, ju bëjmë të ditur se marrëdhëniet janë të shkëlqyera reciprokisht dhe se kemi bashkëpunim edhe në suaza vullnetare. Shembull: kur ka ndeshje ndërkombëtare, pjesëtarë të kryesisë së “Dardanëve” ofrohen vullnetarë për t’u ndihmuar djemve të tifogrupeve lokale që përgatisin koreografi. Ne u kemi ndihmuar në prapaskenë me ngritjen e tyre, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje, që edhe ata, përmes pjesëtarëve të tyre individualë, e bëjnë të njëjtën gjë me koreografitë e “Dardanëve”, që kanë nevojë për shumë pjesëmarrës vullnetarë, si dhe përmes pranisë së tyre në tribunën ku jemi të vendosur për t’i përkrahur djemtë tanë ndaj kombëtareve kundërshtare.
• Me vendim unanim të kryesisë, kemi vendosur qysh moti që të gjithë janë të mirëseardhur te “Dardanët”, nga të gjitha anët, nga të gjitha trevat, si dhe nga të gjitha tifogrupet lokale. Është marrë vendim që të mos ketë laramani pranie me emra tifogrupesh lokale, por të gjithë të vijnë në emrin e “Dardanëve”, pasi Dardanisë i përkasim të gjithë. Për të mos bërë përçarje dhe për të shmangur ndonjë keqkuptim mes vete, kemi menduar se kjo është mënyra më e mirë.
• Po ashtu, me pëlqim të gjithë kryesisë së “Dardanëve”, jemi shumë krenarë që nuk kemi bërë qoftë edhe një grimë dallimi mes qyteteve apo tifogrupeve përkatëse. Asnjë favorizim. Të gjithë për ne janë një. Të gjithë për ne janë njësoj. Të gjithë janë të Kosovës. Të gjithë janë vëllezërit tanë, qofshin ata që ndajnë të njëjtat bindje me ne apo të tjerë që hezitojnë për arsye të tyre. Ne jemi për bashkim në emër të përkrahjes së Kosovës, jo ndarje.
EMRAT E PËRFAQËSUESVE “DARDAN” TË TË GJITHA QYTETEVE BRENDA DHE SHTETEVE JASHTË VENDIT:
Prishtinë – Lorik Berisha
Mitrovicë – Vedat Kurshumliu
Prizren – Arianit Rexhaj
Gjilan – Abdyrahim Salihu
Pejë – Ramiz Shala
Ferizaj – Driton Spahiu
Skënderaj & Drenicë – Mërgim Kamberi
Podujevë – Viryt Nishevci
Klinë – Blerim Berisha
Hani i Elezit & Kaçanik – Buli Reqi
Lipjan – Shkëlqim Aliu
Kamenicë – Isuf Kastrati
Malishevë – Dardan Mazreku
Gjermani, Zvicër dhe Austri – Lavdim Dobërdoli
Angli dhe Skoci – Enver Aliu
Norvegji, Suedi, Finlandë, Danimarkë – Fejzulla Shkreta
Pushime të këndshme, me shpresë që të qetësoheni dhe t’i ndalni gjepurat ndaj nesh për pak kohë. Shihemi në shtator! Rroftë Kosova! Rrofshin shqiptarët!
/Telegrafi/


















































